Basha: Shqipëria nuk etiketohet më si vend tranziti për kontrabandimin dhe trafikimin
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi sot se Shqipëria ka bërë përpjekje të vendosura në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke koordinuar aspektin penal të hetimit të trafikimit dhe vënien para drejtësisë së trafikantëve, me aspektin social, në drejtim të mbrojtjes, asistimit dhe riintegrimit të viktimave të trafikimit. Deklarata e zyrtarit të lartë të Qeverisë u bë gjatë fjalës së mbajtur në konferencën ”Plotësimi i Standardeve Ndërkombëtare dhe Sfidat e Shqipërisë në Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”, të organizuar nga Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Antitrafik. “Shqipëria nuk etiketohet më si vend tranziti për kontrabandimin dhe trafikimin e mallrave dhe personave dhe një pjesë e kësaj arritjeje i atribuohet padyshim edhe vazhdimësisë së moratoriumit për mjetet motorike lundruese”, u shpreh Basha.