Kuliçaj-Ziercke: Bashkëpunim të mëtejshëm kundër veprimtarisë kriminale
Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, ka pritur sot, në një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Presidentin e Policisë Federale Kriminale Gjermane, Jörg Ziercke, në vijim të vizitës së tij dyditore në vendin tonë. Në qendër të bisedës së zhvilluar ndërmjet drejtuesve të lartë të Policisë së dy vendeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të suksesshëm policor ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, veçanërisht në goditjen e krimit të organizuar dhe shkëmbimit të informacionit. Kuliçaj, gjatë këtij takimi vlerësoi bashkëpunimin dhe asistencën e vazhdueshme të dhënë nga Policia gjermane për Policinë e Shtetit në drejtim të forcimit të kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, por edhe të pajisjeve të dhuruara. Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, shprehu interes për vazhdimin e mëtejshëm të shkëmbimit të informacionit mes Policisë shqiptare dhe asaj gjermane në fushën e hetimit të krimit financiar, krimit kompjuterik, dhe trafiqeve të paligjshme, duke shpresuar në rritjen e nivelit të bashkëpunimit. I të njëjtit mendim ka qenë edhe Presidenti i Policisë Federale Kriminale Gjermane, Jörg Ziercke, i cili duke shprehur përshtypjet pozitive të marra gjatë kësaj vizite, ka garantuar rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbim më të madh te informacionit në lidhje me veprimtaritë kriminale. “Kam mbetur shumë i impresionuar dhe me përshtypje shumë pozitive nga kjo vizitë, qoftë për teknikat që ju përdorni, ashtu edhe për standardet e larta që keni arritur. Ju u shprehët se baza për bashkëpunimin policor është besimi dhe dua ta mbështes plotësisht këtë mendim tuajin”, deklaroi Ziercke.