E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Shqipëria,aleate e ngushtë e SHBA-së

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha i ka dërguar një telegram urimi sekretares së re amerikane për politikë të Jashtme, Hilary Rodham Clinton. Përveç urimit, në letër Basha thekson faktin e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve. "Sot, ne jemi dëshmitarë të marrëdhënieve të veçanta, të ngushta dhe miqësore ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë, duke nxitur dhe forcuar së bashku paqen, stabilitetin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe begatinë. Ne jemi thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e SHBA-ve dhe të vendosur që të punojmë mbi baza dy- dhe shumëpalëshe për nxitjen e këtij partneriteti, për përparimin dhe forcimin e mëtejshëm të vlerave të përbashkëta demokratike"-thuhet në telegram.Basha thekson se emërimi i Hillary Clinton vjen në një periudhë tejet të rëndësishme sfidash madhore. Ku ka shtuar faktin se Shqipëria krenohet që është aleate e SHBA-së dhe është e gatshme të punojë aktivisht e së bashku në përballimin e këtyre sfidave globale dhe rajonale. Në planin rajonal, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet, moderacion dhe frymë konstruktive, duke kontribuar aktivisht në integrimin e Ballkanit në strukturat Euro - Atlantike."Gjej rastin për të evokuar me kënaqësi dhe nderim të veçantë ndihmesën e vyer dhe historike që ka dhënë populli amerikan, ju, dhe në veçanti Presidenti Klinton për Kosovën. Po ashtu, ne shqiptarët jemi plot mirënjohje të thellë për mbështetjen e SHBA-së në realizimin e aspiratave tona kombëtare për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE"-përfundon telegrami i ministrit Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›