Dalipi: Qeveria premtoi 6 mijë km rrugë, ka realizuar më pak se 400 km

>Në një deklaratë për shtyp,deputeti i PSSH-së, Alfred Dalipi, ka numëruar shkeljet e bëra në tre vjet nga Ministria e Transporteve. Sipas tij, paratë e tenderuar nuk korrespondojnë në mënyrën më të turpshme më premtimin elektoral të qeverisë për 6 mijë km rrugë.
Në tre vjet, Ministria e Transporteve ka tenderuar, hedhur në rrugë plot 1 miliard e 250 milion dollarë, kurse shqiptarët me kaq para kanë marrë më pak se 400 km rrugë. Premtimi për 6 mijë km rrugë është bërë, qytetarët shqiptarë kanë paguar taksat, qeveria ka realizuar të ardhurat, plot 1 miliard e 250 milion janë bërë tenderë dhe u janë paguar kontraktuesve, ndërsa e vetmja që s'është bërë janë 6000 km rrugë, deklaron Dalipi, duke shtuar se Shqipëria mbetet jo vetëm në Rajon por edhe në Evropë vendi më i prapambetur me 0.25 km rrugë për 1 km katrorë. Vetëm për vitin 2007 dhe 2008 sipas tij, Ministria e Transporteve ka tenderuar për rrugë, ujë dhe strehim konkretisht 42 miliard lekë në 2007, ose 500 milion dollarë, 34 miliard në rrugë, 6.2 miliard në ujësjellës dhe kanalizime dhe 1.1 miliard në strehim. Në vitin 2008 po kjo Ministri ka tenderuar dhe paguar 64.8 miliardë lekë në rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe strehim, pra vetëm në dy vite janë prokuruar mbi 1 miliard e 200 milion dollarë në tre sektorë të rëndësishëm jetikë për qytetarët shqiptarë. Ajo që sot bëhet e domosdoshme, jo vetëm për t'jua kujtuar shqiptarëve se çfarë ju është premtuar, është shumë emergjente të bëhet transparente se çfarë është bërë me këto para, pra me 1 miliard e 200 milion dollarë, shton me tej Dalipi duke hedhur një akuzë të rëndë ndaj qeverisë. Gjithashtu ai shpreh habi se si Kontrolli i Lartë i Shtetit prej vitit 2006 nuk ka ushtruar asnjë kontroll tematik në Ministrinë e Transporteve. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë ushtrimin e detyrës në respekt të misionit të këtij Institucioni për miradministrimin e financave publike, nëpërmjet kryerjes së kontrolleve. Mundësisht, nëpërmjet ushtrimit të këtij funksioni kushtetues, KLSH-ja duhet të dekurajojë çdo hap antiligjor, të ndalojë çdo hajdut të vjetër apo të ri në moshë që në këto pak muaj të mbetur të vazhdojnë të masakrojnë buxhetin dhe xhepat e shqiptarëve. Sot është e nevojshme, që shqiptarët jo vetëm të mësojnë se janë harxhuar për rrugë 1miliard e 250 milion dollarë, por janë kontraktuar edhe për vitin 2009, rreth 51 miliard lekë, ose 600 milion dollarë të tjerë. Sot sërish është e nevojshme që shqiptarët të mësojnë se kjo qeveri ka tenderuar vlera dhe para të tyre deri në vitin 2012. Pikërisht për faktin se shqiptarëve ju është shitur dhe tenderuar edhe e ardhmja, nevojitet që Kushtetuta, në emër të interesave të shqiptarëve t'i kërkojë avokatit të vet, avokatit të financave publike, Kontrollit të Lartë të Shtetit, ushtrimin e kontrollit tematik për dy vite, nga 2006 deri në 2008, në rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe strehim në Ministrinë e Transporteve, për miliarda dollarë të tenderuar dhe tashmë të shpenzuara, deklaron në fund deputeti i PS-së, Alfred Dalipi.