E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, garë e ashpër për kreun e Tiranës, gjashtë emra kërkojnë fitoren

>Kryetari i ardhshëm pritet të jetë njeriu i Berishës

Partia Demokratike ka ditë që ka nisur  përgatitjet e saj për  zgjedhjen  kryetarit të  Tiranës. Gara e kryeqytetit duket se ka ndezur një rivalitet të ashpër dhe një masivitet kandidaturash, ku spikasin figura që kanë kontribute në këtë parti që në ditët e para të themelimit të saj. Ka qenë Besnik Mustafaji i pari që ka çelur siparin e lançimit të kandidaturës për kreun e PD Tiranë. Mustafaji është edhe një nga njerëzit më kritikë të kryeministrit Berisha, duke qenë në oponencë me të që nga momenti që dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm. Duke qenë se midis Berishës dhe Mustafajit qëndron një hendek i madh, për më shumë që Mustafaji është kthyer pjesë e lobingut Topi, kreu i mazhorancës e shikon me skepticizëm zgjedhjen e patriotit të tij në krye të degës më të madhe në Shqipëri. Për ta bërë sa më demokratik si proces, Berisha zgjodhi rrugën e hedhjes së shumë kandidaturave pretendente për këtë post, duke e futur këtë proces në një proces konkurrues ku fitimtar do të jetë ai që përkrah kreu i mazhorancës. Janë 6 emra të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë proces tepër të rëndësishëm brenda PD, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Burime nga selia blu konfirmojnë faktin se pavarësisht prurjeve të shumta nga baza e partisë dhe ambiciet e tyre për të drejtuar degën e PD së Tiranës, ky proces pritet të jetë tejet i kujdesshëm për shkak se kryetari i ardhshëm duhet të përballojë presionin e zgjedhjeve parlamentare. Deri tani kanë shpallur kandidaturën emra të rëndësishëm të jetës politike të PD-së si Besnik Mustafaj, Lajla Pernaska, Gjergj Bojaxhi, Shaban Memia, Edi Paloka dhe Aldo Bumçi. Ky i fundit ka deklaruar se, duke qenë anëtar i kryesisë së PD-së, mund  të japë kontributin e tij në PD-në e kryeqytetit. Gjithashtu deklaroi se me besimin e plotë nga partia dhe duke njohur mirë atë që është bërë deri tani shpreson që të bëjë diçka më shumë për Tiranën, duke nënkuptuar se është një kandidaturë e bekuar nga Berisha. Ndërkohë, sipas sekretarit organizativ të PD-së, Flamur Noka, fillimi i marsit do të shënojë dhe zhvillimet më të rëndësishme në këtë proces i cili parashikohet të jetë tepër i fortë për shkak të emrave që marrin pjesë në të.  Mësohet se procesi po ndiqet nga afër edhe nga vetë kryeministri Berisha i caktuar kryetar  nga mbledhja e radhës e grupeve të punës. Anëtarët e tjerë të kryesisë të PD- së do të ndjekin nga afër zgjedhjet nëpër zonat elektorale të Tiranës. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare numri i deputetëve të Qarkut të Tiranës do të jetë 33, numër i cili përbën peshën më të madhe elektorale në vend. Kështu që zgjedhjet brenda PD-së priten të jenë të centralizuara dhe nuk përjashtohet mundësia që mekanizma të brendshëm të partis렠 të veprojnë me kujdes për të zgjedhur një kryetar artificial në përputhje me interesat e vetë drejtuesve kryesorë  të tanishëm dhe pse jo të vetë kryeministrit Berisha.
Ndërkohë që,  megjithëse shumica e kandidatëve pretendojnë se kanë mbështetjen e Berishës, përjashto Mustafajin, sipas burimeve brenda selisë blu një favoritet për këtë post është Lejla Përnaska e cila thuhet se ka mbështetjen e doktor Berishës. Me futjen në lojë të kandidaturave alternative kreu i mazhorancës nuk i lejon oponentët e tij brenda PD të artikulojnë teori të mungesës së demokracisë në PD. Kryetari i PD nuk mund të pranojë që dega e Tiranës të bjerë në duart e klanit të presidentit Topi, për arsye se me këtë të fundit janë shfaqur divergjenca të thella lidhur me skandalet e qeverisjes së tij dhe përfshirjen e presidentit në luftën e ashpër të drejtësisë me ekzekutivin. Përsa i përket fushatës për kreun e Tiranës,Presidenti Topi mund të influencojë në zonat tiranase ku thuhet se gëzon simpati të madhe, por rreziku qëndron në dominimin që Berisha ka mbi strukturat demokrate. Pavarësisht parashikimeve dhe projekteve të kandidatëve mesa duket një gjë është e qartë: fati i atij që do të marrë postin e kreut të PD do të vendoset nga dora e kryeministrit Berisha.

Aldo Bumçi
Aldo Bumçi deklaroi se  do të jetë kandidat për kryetarin e PD-së për Tiranën. "Jam anëtar i PD-së, jam anëtar i kryesisë së saj, mendoj se kam besim nga PD-ja dhe mund të sjell konstribut në PD-në e Tiranës", u shpreh ai. Sipas Bumçit, duke njohur atë që është arritur deri tani, mund të bëhet shumë më tepër për Tiranën, megjithatë do jetë gara që do tregojë më të mirën.

BesnikMustafaj
Tirana është motori de fakto dhe këtu janë përqendruar forcat më të mëdha intelektuale të vendit dhe me shumëfishimin e popullsisë së saj Tirana është një Shqipëri.
Në këtë kuptim, Tirana do të jetë motori i vërtetë i fushatës. Në bazë të statutit, lejohet kandidimi im. I kam një detyrim PD në Tiranë për tu angazhuar më shumë në këtë parti. Partia Demokratike më ka votuar që në vitin 1991 si deputet. Ky vendim është instaluar në kokën time. Kam shumë energji dhe vendosmëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›