E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Politika shqiptare këmbeu Gërdecin me sheshet e ndërtimit

>Kreu i PS91: Fitorja e Obamës shembull për qeverinë shqiptare

Ditën e djeshme kryetari i PS 91 në fjalën e mbajtur në parlament ka akuzuar politikën shqiptare si politikë pazaresh të pista. Sipas Koçit, kjo politikë është produkt i marrëveshjeve të fëlliqura midis pozitës dhe opozitës, ku ligjet dhe kodet që kalojnë në parlament shkëmbehen me sheshet e ndërtimit. Kryetari i PS-91 Petro Koçi u ndal te fitorja e presidentit të 44-të të  SHBA, Barak Obama, i cili nuk erdhi në pushtet përmes pazarit politik me kodin elektoral, apo rrëmbimit paraprakisht të KQZ, por ai e meritoi fitoren. "Fjala e tij politike ka nevojë për reflektim të thellë, të qenësishëm, të vërtete, thelbësor dhe leksionnxjerrës",- theksoi Koçi duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës dhe opozitës dje në Kuvend. Sipas Koçit, guximi për të shpresuar në një jete dhe botë më të mirë fyhet rëndë nga guximi i politikanëve tanë për të bërë korrupsion me fjalimin e Obamës. Kur ai thotë, citoi kryetari Koçi,-ata që u ngjitën në pushtet përmes korrupsionit e mashtrimit, apo mbytjes së mendimit ndryshe, ta dinë se janë në anën e mbrapshte të historisë, do të thotë se nuk është zëdhënësi i politikanëve tanë që mendimin dhe alternativën ndryshe e mbysin me ligje, dhe politikanët tanë të mirëarmatosur nuk janë zëdhënësit e tij. Koçi theksoi se, Shqipërisë tonë i duhet më në fund një politikë e mirë, politikë e vërtetë, politikë institucionale, politikë qytetare, duke marrë shkas edhe nga fjalimi i Obamës, i cili thotë së sfidat tona mund të jenë të reja. Mjetet tona për t'i përballur ato mund të jenë të reja. Por, vlerat nga të cilat varet suksesi ynë - puna e lodhshme dhe ndershmëria, kurajua dhe loja e pastër, toleranca dhe shpirti i kërkimit, besnikëria dhe patriotizmi të gjitha këto janë te vjetra! Ajo që kërkohet atëherë është rikthimi në këto të vërteta! "Korrupsioni deri ne krim shtetëror i Gërdecit, ku taktika e  kulaçit dhe e kërbacit mbi prokurorët dhe gjyqtarët, sheshet konsensuale të ndërtimit, korrupsioni konsensual me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor, pazaret me ligjet në Kuvend, dëshmojnë se vendi ka nevojë për një politikë ndryshe, për një politikë të mirë, për një politikë institucionale dhe qytetarë",- u shpreh Koçi. Gjithashtu, ai përsëriti një shprehje tjetër të presidentit amerikan Obama, i cili thotë se ata që administrojnë financat publike do të japin llogari që t'i shpenzojnë me nikoqirllëk, të heqin dorë nga zakonet e mbrapshta e të kryejnë detyrën nën dritën e diellit vetëm atëherë mund të ringjallet besimi mes popullit dhe qeverisjes. Në Shqipërinë tone të njerëzve te varfër, u shpreh Koçi -ligjin mbi kokat e klasës tonë politike, majtas e djathtas, e bëjnë vetëm të pasurit dhe kompanitë e mëdha. Pra, ka nevojë për ndryshim. Që ligjet në Kuvend,vendimet në Qeveri, në Bashkitë dhe Komunat t'u shërbejnë shumicës e jo pakicës". Sipas tij, Obama nuk është socialist, por megjithëse ka mbështetur paketat shumëmiliardëshe për bankat në rrezik apo industrinë e automobilave, është plotësisht social dhe patriot kur thotë : Një komb nuk mund të begatohet kur ai favorizon vetëm të pasurit. Petro Koçi theksoi se, "ne kemi nevojë për ndryshimet e mira dhe na duhet ta vendosim vendimmarrjen dhe politikën nën kontrollin e qytetarëve". "Edhe korrupsioni sjell ndryshim, por korrupsioni është fuqia e mbrapshtë e ndryshimit",- tha  Koçi. "Na duhet të heqim dorë nga të pakontrollueshmit, konsensualë ose jo. Kemi kohë deri në 28 qershor te zgjedhim shpresën dhe të mirën ndaj atyre që guxojnë të mbjellin frikën, në oborret e  tyre politike dhe në jetën e vendit",- shtoi ai. Dhe kjo sipas tij, nuk bëhet duke zëvendësuar pleqtë e konsumuar me të rinjtë e babëzitur, por nëpërmjet vendosjes së një sistemi gare, karriere e veprimtarie politike me rregulla të pastra, ku shanset janë të barabarta për çdo gjini apo moshe, ku slejohet cenimi i parimeve të gjithëpranuara politike ,dhe ku drita e diellit garantohet nga syri dhe veshi i qytetareve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›