Klosi: Procesi i kartave të identitetit i vonuar dhe jo transparent

>Deputeti i PS, Blendi Klosi në fjalën e tij në kuvend ka akuzuar procesin e aplikimit të kartave të identitetit si jo transparente dhe se në këto 160 ditë të ngelura nuk mund të kryhen as 800 mijë aplikime. Kuvendi i Shqipërisë, kujtoi Klosi,- ka miratuar një ligj të veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale të shtetasve duke krijuar me ligj dhe institucionin përkatës, por sot kur shtetasit kanë filluar aplikimet me të dhënat e tyre biometrike, nga qeveria nuk kemi të ngritur inspektoratin përkatës që do t'i mbrojë këto të dhëna, kaq shumë të rëndësishme të shtetasve.
Sipas tij, disa herë është thënë që "pastrimi" është përfunduar, premtimet fillestare për t'u përfunduar kanë qenë për në korrik 2008, pastaj u shtynë për në shtator 2008 dhe premtimi i fundit ka qenë për në dhjetor 2008. Ndërkohë që, Qeveria pranoi se ende ka dublime në Regjistrin Kombëtar elektronik të shtetasve, në rendin e 100 000 rekordeve. Deputeti Klosi shpjegon se Kodi Zgjedhor kërkon qartë dhe prerazi se vetëm nga një regjistër i pastruar unik i shtetasve do të mund të kemi hartim të ligjit për shpërndarjen e mandateve sipas qarqeve hartohet mbi bazën e numrit të popullsisë për çdo qark që nxirret nga ky regjistër, publikim të listave paraprake të zgjedhjeve që nuk mund të kryhet nëse nuk përfundon plotësisht ky regjistër, aplikimi dhe pajisja e kartave të identitetit kërkon akses në këtë regjistër, i cili shërben si baza e vetme e të dhënave për shtetasit që do të pajisen me këto dokumente. Sipas tij, që në fazën e shpërndarjes së mandat arkëtimeve u pa qartë që barra i është lënë qytetarit". "Kemi kërkuar në këtë Kuvend në mënyrë të përsëritur skema lehtësuese për shtresat sociale. E kërkuam në korrik në ratifikimin e kontratës me koncesionarin, e kërkuam në buxhetin suplementar 2008, e kërkuam në projekt-buxhetin e vitit 2009, dhe sot jemi përpara improvizimeve te çastit që e bëjnë edhe më konfuz qytetarin e interesuar për këtë shërbim të shtetit",- u shpreh deputeti Klosi.