Braçe: Qeveria të shpërblejë ish-606 punonjësit e kompanisë ARMO

>Deputeti i PS Erion Braçe në emër të grupi parlamentar të PS dhe veçanërisht të deputetëve të Fierit dhe të Ballshit si znj.Stefa, Çaçi, Bufi, Islami, Xhindii, Klosi ka shprehur dje në Kuvend shqetësimin e 606 ish-punonjësve të kompanisë Armo, të cilët kanë që nga muaji korrik pa u paguar pas privatizimit të kësaj kompanie. Sipas Braçes, të gjithë këta ishin kostoja më e madhe e procesit të privatizimit të kompanisë armo.
Ai deklaron se bëhet fjalë për dy pagesa, pagesën 1 vjeçare kalimtare për indeksin e strukturimit dhe natyrisht pagesën e shpërblimit që duhet t'iu jepej këtyre punëtorëve për vjetërsi në punë. "Që nga data 15 dhjetor qeveria nuk ka lënë më në qendrën e zyrës së punës pagesën 1 vjeçare kalimtare". "Këta njerëz sot janë pa bukën e gojës",- u shpreh deputeti socialist. Braçe vijoi se Qeveria i ka marrë vet vendimet për ti paguar jo pak këtyre njerëzve 262 milionë lekë të reja rreth tre milion dollarë dhe kanë që nga korriku që nuk ia paguan këtyre njerëzve këto para. "Këta njerëz kanë dalë në korrik përpara se kjo kompani të privatizohet",- shpjegoi Braçe. Këta njerëz, tha ai,- kanë një marrëdhënie me qeverinë, ashtu si ish-punonjësit e Alb-Petrol-it që kishin me qeverinë dhe me ndërmarrjen e tyre. Sipas tij, Znj. Topalli vetëm për një darkë në Londër ka harxhuar familjarisht 5000 euro. Kur harxhon kaq para për një darkë është mirë që të mendonte edhe për ata që nuk kanë bukë të hanë për shkak të vendimeve të kësaj qeverie. Deputeti socialist Braçe deklaroi se kanë dalë një sërë vendimesh që nga data 27.2.2008 për të vazhduar me një tjetër vendim të Këshillit të Ministrave i datës 8.4.2008 me një tjetër vendim 9.11.2008 të votuar në fletoren zyrtare datë 11 dhjetor 2008, të cilat qeveria duhet t'i zbatonte në favor të 606 punonjësve të ish kompanisë armo. "Ka raste qeveria i zbaton ka raste nuk i zbaton vendimet",- u shpreh ai. Gjithashtu socialisti Braçe ka kërkuar transparencë për një vendim të rëndësishëm që ka marrë qeveria, i cili lidhet me institucionet që merret me kthimin dhe kompensimin e pronave. Tre muaj më parë në këtë sallë të kuvendit, kujtoi Braçe,- kam paraqitur shqetësimin lidhur me procedurat që po ndiqeshin lidhur me një hapësirë toke në kavajë në zonën bregdetare në plazhin e gjeneralit. Z.Oketa, tha deputeti socialist,- morri përsipër këtu çdo gjë, ndërkohë që ishte nxjerrë jashtë asaj historie. Ai sqaroi se brenda kësaj hapësire toke përfshihej një repart ushtarak dhe gjithë rrethinat e tij, tashmë në procedurën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Zotëria që ishte shkarkuar dje deklaroi ai,- ka qenë në hetim prej 3 muajsh nën hetim nga organi i prokurorisë për tjetërsimin e kësaj prone në plazhin e gjeneralit. Sipas tij, Qeveria kishte tre muaj që e kishte mënjanuar nga publiku duke i thënë shqiptarëve historinë e vërtetë të këtyre ngjarjeve. "Ashtu si edhe organi i prokurorisë pa e shkelur sekretin e hetimeve duhet ti tregojë shqiptarëve historinë e vërtetë të kësaj ngjarjeje",- apeloi Braçe. Ai kujtoi se është i treti drejtor i Agjensisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që ndërrohet në tre vite. "Ai që është emëruar dje është i katërti dhe jam i bindur që nuk është vetëm faji i tyre, por faji i të tjerëve rreth e qark",- u shpreh Braçe. Sipas deputetit socialist Braçe, kjo histori ka bërë disa emra të rëndësishëm që fillojnë në qeveri dhe mbarojnë në qeveri. E.Jaçe