E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Shqiptarët pa viza, një çështje kalendari



Shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të zonës “Shengen” dhe viti 2009 do të jetë vendimtar për liberalizimin e vizave. Kjo çështje tashmë do të jetë një çështje kalendari e diktuar dhe nga rrethanat politike globale, si rasti i krizës ekonomike në botë. Një gjë të tillë e pranoi dje ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pas takimit me drejtorin për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Majkëll Leig. “Kam thënë dhe vazhdoj të them që viti 2009 është një vit vendimtar për liberalizimin e vizave. Nëse liberalizimi do të ndodhë në muajt e parë apo në muajt e fundit, apo në rast se për shkak të rrethanave politike, të tilla siç përmendi dhe ministri Shvarcenberg në Tiranë, të krizës ekonomike që ka mbërthyer botën, mund të shtyhet edhe për fillimin e vitit 2010, kjo është një çështje kalendari dhe vendimmarrjeje politike", - tha ministri Basha. Sipas tij, ajo që Shqipëria ka në dorë, është të përmbushë kushtet dhe ne jemi në rrugë të mbarë për të përmbushur të gjitha kushtet që të rritet mundësia që dita kur shqiptarët të lëvizin drejt hapësirës “Shengen” pa viza të jetë sa më afër. “Se kur do të jetë kjo ditë, - shtoi Basha, - këtë s'mund ta them as unë, as ministrat e Jashtëm të çdo vendi evropian”. “Këtë duhet ta thotë i gjithë Bashkimi Evropian dhe është siç thatë ju, është një vendim politik, por që duhet të bazohet mbi një platformë të shëndoshë të arritjeve që Shqipëria duhet të dëshmojë në nivelin teknik: pasaportat biometrike, kontroll i integruar i kufijve dhe vazhdimësi e reformave", - theksoi ministri Basha. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, bëhet e ditur se dy grupe ekspertësh do të qëndrojnë në Shqipëri në periudhën janar-mars 2009 për të parë përmbushjen e 41 masave e udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Gjatë takimit të djeshëm në Bruksel me drejtorin e përgjithshëm për Zgjerimin në BE. z. Majkëll Leig, ministri Basha e njohu atë me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me reformën zgjedhore që kaloi së fundmi në Parlament. Gjithashtu, z. Basha i bëri të ditur bashkëbiseduesit të gjitha përpjekjet që po ndërmerr qeveria shqiptare në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri të mbahen sipas standardeve evropiane. Nga ana tjetër, ministri Basha e siguroi z. Leig se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe e përkushtuar në zbatimin e të gjitha masave të nevojshme me qëllim që kriteret teknike të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të plotësohen brenda një kohe sa më të shkurtër. Në këtë kuadër, Ministri Basha informoi bashkëbiseduesin për përfundimin e regjistrit elektronik të qytetarëve, prodhimin e pasaportave biometrike dhe shpërndarjen e tyre, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, implementimin e suksesshëm të kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufijve. Përparimi i dukshëm në këto fusha përbën bazën më të shëndoshë për avancimin në vitin 2009 të objektivit të Shqipërisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve në hapësirën “Shengen”. Bashkëbiseduesit ndanë mendime edhe mbi perspektivën e zgjerimit të BE-së në hapësirën e Evropës Juglindore. U vlerësua implementimi pa pengesa dhe solid i marrëveshjes së ndërmjetme nga ana e Shqipërisë, ecuria e mirë e ratifikimit të MSA-ve nga vendet anëtare, si dhe ritmi i reformave të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimit të institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor si dhe rritja e qëndrueshmëria e ekonomisë shqiptare. Në këtë kuadër, ministri Basha theksoi nevojën dhe domosdoshmërinë për të intensifikuar më tej dinamikën e integrimit evropian të Shqipërisë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me BE-në dhe vendet anëtare. Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, z. Leig vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor i stabilitetit, sigurisë dhe moderacionit në Ballkan. Për sa u takon zhvillimeve më të fundit në Kosovë, z. Basha theksoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë shqiptare për vendosjen sa më të shpejtë të misionit të EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, sipas parashikimeve të paketës Ahtisari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›