Berisha: Një leje ndërtimi do te merret për 50 ditë
Në qoftë se në ditën e 51-të, qytetari nuk ka marrë me shkrim lejen apo vendimin e motivuar për mosdhënien e lejes së ndërtimit, ai do të ketë të drejtën të fillojë ndërtimin. Por në rast se qytetari bëhet vetë përgjegjës dhe tenton të përdorë afatin në mënyrë abuzive, do të takohet me kodin penal të ndërtimit pa leje që parashikon në variantin e ri rreth 8 vjet burg. Kjo është ndërhyrja e bërë tani së fundi nga qeveria në ligjin urbanistik për afatet kohore për dhënien e lejeve të ndërtimit. Tani e tutje, nga 390 ditë, një leje ndërtimi do të merret vetëm për 50 ditë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave Kryeministri Sali Berisha kërkoi që deri në miratimin e ligjit të ri për urbanistikën duhet të ndërhyhet në ligjin aktual pasi për sa u përket lejeve të ndërtimit, Shqipëria paraqitet shumë problematike dhe faji për këtë, sipas tij, është i qeverisjes vendore. Berisha vuri në dukje se në këtë mënyrë marrin fund burokracitë korruptive në dhënien e një leje ndërtimi. "Me këto ndryshime i jepet një frymëmarrje e madhe sektorit kryesor të ekonomisë, promotorit të zhvillimit, që është ndërtimi, por me këto ndryshime, me këtë lehtësim të madh të burokracisë, shkurtim të madh të kohës dhe të kostos, i jepet një goditje e fortë dhe i vihet një pengesë shumë e madhe informalitetit, i cili aktualisht ka si faktor kryesor burokracinë e lemerishme korruptive të dhënies së lejeve të ndërtimit”, - tha Berisha. Kryeministri Sali Berisha duke folur për lejet e ndërtimit dhe ligjin e ri të urbanistikës të cilën e cilësoi si: Kushtetutën e territorit” pohoi se tani e tutje KKRT duhet të japë lejen e ndërtimit brenda 50 ditëve. Kryeministri Berisha vuri në dukje se "për fat të keq Shqipëria është kuotuar në vendin e 176-të, pra në grupin e katër-pesë vendeve më të mundimshme për dhënien e lejeve të ndërtimit". Duke e konsideruar këtë si një situatë të papranueshme, Kryeministri informoi se "mesatarja për marrjen e lejes së ndërtimit në Shqipëri është 390 ditë, gjë që krijon një mekanizëm të tmerrshëm burokratik". Kreu i qeverisë bëri përgjegjëse për këtë gjendje qeveritë vendore, por, sipas tij, "disa vendime merren dhe mbi qeveritë vendore, nga qarqet, e të tjera me radhë". "Është punuar gjatë këtyre dy muajve në mënyrë të veçantë për këtë problem dhe do të bëhen ndërhyrje në ligjin ekzistues të urbanistikës për shkak të natyrës urgjente të problemit. Leja e ndërtimit nuk do të mund të zgjatet më, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, mbi 50 ditë", - u shpreh Kryeministri Berisha. Duke sqaruar mbi procedurat që parashikon ligji i ri i urbanistikës për lejet e ndërtimit, Kryeministri u shpreh se "shqyrtimi i dokumentacioneve të pranuara duhet të bëhet brenda një jave, kurse afati prej 42 ditësh do të jetë për plotësimin e dokumenteve, të cilat tani reduktohen nga 22 apo 24 që ishin, në 8 dokumente". Kreu i qeverisë propozoi që njësitë e qeverisjes vendore duhet të funksionojnë si One Stop Shop.