Shqipëria në NATO, Turqia ratifikon Protokollin në prani të Topit
Turqia firmos Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në prani të Presidentit shqiptar, Bamir Topi, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në shtetin turk. Në këtë mënyrë Turqia bëhet vendi i nëntë i NATO-s që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Vizita zyrtare e Presidentit Bamir Topi në Turqi gjatë takimit me homologun e tij Abdullah Gyl, është shënuar nga një ngjarje e rëndësishme pasi kreu i shtetit turk ka firmosur në praninë e tij dekretin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dokument i cili është ratifikuar vetëm dy ditë më parë nga Parlamenti i këtij vendi. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për këtë ratifikim i cili dëshmon edhe një herë mbështetjen konkrete të Turqisë për aspiratat integruese të Shqipërisë. Presidenti Topi përsëriti vlerësimin për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj aspiratës e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në NATO, të cilat kanë qenë sa politike, edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit e modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare. Të dy presidentët kanë vlerësuar nënshkrimin vitin e kaluar të Protokollit të Bashkëpunimit në Procesin e Integrimit Evropian midis dy vendeve, çka i shërben shkëmbimit të përvojës pozitive midis dy vendeve tona për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të plotë në strukturat evropiane.