E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi financiar, rritet vlera e tokës në Tiranë e Durrës



Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një ndryshim të hartën e vlerës së tokës, e cila përdoret për kompensimin e ish-pronarëve si dhe për shpronësimet publike. Ashtu siç ishte premtuar, është rritur vlera e tokës, madje në disa zona të Tiranës është dyfishuar. Gazeta ka mundur të sigurojë hartën e re të vlerës së tokës për qarkun e Tiranës dhe të Durrësit ku bëhet dhe një krahasim me çmimet e mëparshme. Në mbledhjen e saj të radhës qeveria ka miratuar një ndryshim në hartën e vlerës së tokës, duke përcaktuar çmime të reja reference për kompensimin e ish-pronarëve për të gjitha qarqet. Këto çmimet kanë ndryshuar në varësi të çmimeve të tregut, mbi bazën e të cilave bëhet dhe harta e kompensimit. Duke iu referuar qarkut më të madh, Tiranës, vendimi i djeshëm ka përcaktuar se ish pronarët që kanë pasur tokë në zonën 5/2 në Tiranë që i bie afër stadiumit “Selman Stërmasi”, lagjja Shushicë si dhe afër Liqenit, do të kompensohen me një vlerë prej 120 mijë lekësh të reja për metër katror. Vendimi i mëparshëm e kishte maksimum 52 mijë lekë për metër katror kompensimin në këtë zonë dhe praktikisht vendimi i djeshëm e ka dyfishuar. Me të njëjtën vlerë do të përfitojnë kompensim ish-pronarët që kanë pasur tokë në zonën e Pazarit të Ri, afër 9-katsheve, afër shkollës “Avni Rustemi”, në rrugën “Myslym Shyri”, tek Drejtoria e Policisë Tiranë, afër Kishës Katolike, tek PTT-ja, tek Albtelekomi si dhe tek Lidhja e Shkrimtarëve. Të gjithë ish-pronarët e këtyre zonave do të kompensohen me 120 mijë lekë të reja për metër katror, nga 52 mijë lekë që ishte në vendimin e mëparshëm. Rritje të kompensimit do të përfitojnë edhe ish-pronarët e tokave në zonën e Piramidës, afër stadiumit “Qemal Stafa”, në zonën e ish-Bllokut, afër Librit Universitar si dhe rreth ndërtesës së kompanisë Vodafone. Ish-pronarët e këtyre tokave do të përfitojnë kompensim me 180 mijë lekë të reja për metër katror, ndërkohë që në vendimin e mëparshëm ishte maksimumi 78 mijë lekë për metër katror. Vendimi i djeshëm i qeverisë ka dyfishuar përfitimin e kompensimin për këta ish-pronarë.

Durrësi

Vendimi i djeshëm i qeverisë ka prekur edhe qytetin e Durrësit. Janë përcaktuar edhe vlerat e tokës në këtë rreth, si dhe për pjesën e plazhit duke përfshirë edhe komunat që lagen nga deti, si Golemi. Kështu, sipas hartës së re të vlerës së tokës, brezi i parë i tokave në qytet, që janë afër detit deri në 200 metra, do të kenë një kompensim prej 44 604 lekësh të reja. Brezi i dytë i tokave, që ndodhen mbi 200 metra larg nga deti, do të kompensohen me një vlerë maksimale prej 9 600 lekësh. Dje janë përcaktuar edhe vlerat e tokës për mjaft komuna të Durrësit. Kështu, në komunën Sukth vlera e tokës do të jetë minimumi 1,134 lekë, ndërsa maksimumi do të jetë 3,239 lekë. Zona e zhvillimit industrial do të ketë një vlerë toke minimale prej 7 200, ndërsa vlera maksimale do të jetë prej 8 400 lekësh. Fshati Hamallaj do të ketë një vlerë toke prej 804 lekësh. Në zonën e plazhit në periferi të qytetit, kryesisht në fshatra që legen nga deti, do të ketë një vlerë deri në 7 200 për tokat që ndodhen deri në 200 metra afër detit, ndërsa për të tjerat vlera shkon midis 2 400 lekëve dhe 3 600 lekëve. Fshati Rrushkull do të ketë vlerë toke prej 804 lekësh,f Lalëz prej 949 lekësh, fshati Draç prej 685 lekësh, fshati Bizë prej 844 lekësh, komuna Gjepalaj midis 1 107 lekësh dhe 1 345 lekësh, komuna Maminas mes 1239 lekësh dhe 1345 lekësh,k Rashbull midis 1 107 lekësh dhe 2 215 lekësh. Të gjitha këto komuna, të cilat kanë mundësi për zona industriale, do të kenë një vlerë prej 3 deri në katër herë më shumë në rast se do të ketë zhvillim industrial.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›