E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Shqiptarët të bashkuar, për një vit të mbarë

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte i ftuar i nderit, nga Komiteti Shtetëror i Kulteve, në drekën e shtruar me rastin e festave të fundvitit, me të gjithë drejtuesit e bashkësive fetare ne vend.

Në mesazhin përshëndetës, Kryetari i Bashkisë ka vlerësuar se shpirti festiv i Tiranës përfaqësohet më së miri, në ndërthurjen e simboleve fetare në sheshin e kryeqytetit shqiptar. Ai e cilësoi si një dhuratë të çmuar të Zotit, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare mes shqiptarëve, të cilët sipas Bashës, sot janë të bashkuar në identitet e qëllime për një vit më të mbarë.

"Festat janë një rast i mirë që na bashkon të gjithëve kudo në botë, por besoj se në asnjë vend tjetër, më shumë se në Tiranë nuk duket kaq qartë se si i bashkojnë festat shqiptarët. Mjafton t’i hedhim sytë në sheshin “Skënderbej”, ku me rënien e muzgut, ndriçojnë krahas njëra-tjetrës edhe Minarja e Xhamisë së Et’hem Beut, edhe Pema e Krishtlindjes, edhe Kulla e re e Kishës Ortodokse dhe ku ndërthuren kambanat e kishave me këngën e myezinit që fton për lutje besimtarët. Pra shpirti festiv i Tiranës përfaqësohet më së miri, në këtë ndërthurje të mrekullueshme, në këtë dhuratë të çmuar të Zotit, që është harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve, vëllezër dhe motra të bashkuar me festat, të bashkuar në identitet, të bashkuar në qëllimet tona për një vit më të mbarë dhe gjithsecili feston sipas mënyrës së tyre", tha Basha.

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha siguroi drejtuesit e bashkësive fetare në vend, se në projektet e vitit të ardhshëm, secili prej komuniteteve, do të gjejë tek Bashkia e Tiranës, një partner të drejtë, të ndershëm dhe të besueshëm.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Basha me fetarët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›