E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur marinari italian

Një shtetas italian është gjetur i vdekur dje paradite në mjediset e anijes "Major". Anija civile italiane zbarkoi dje në mëngjes në Portin detar të Durrësit. Mësohet se në bordin e saj kishte trupa dhe mjete ushtarake, të cilat bënë kalim transit në vendin tonë dhe kishin si destinacion shtetin më të ri në Ballkan, Kosovën. Shtetasi i gjetur i vdekur në anije është pjesëtar i ekuipazhit të saj dhe quhet Çiro Banjo (Ciro Bagno). Anëtarët e ekuipazhit të "Majorit" pranuan se u tronditën nga humbja e kolegut të tyre Çiro, trupi i të cilit do të lundrojë për herë të fundit mbi Adriatik për t‘u prehur në atdheun e tij. Për ngjarjen e pazakontë, është njoftuar edhe ambasada italiane në vendin tonë, e cila ka dërguar përfaqësuesit e saj për të asistuar në kryerjen e ekzaminimit mjekoligjor të kufomës dhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes së marinarit. Burime nga policia lokale bënë të ditur se, nga hetimet paraprake dhe veprimet e para të ekspertizës mjekoligjore, të bazuara kryesisht në këqyrjen e trupit të të vdekurit, rezulton se shkak ka qenë një infarkt miokardi. Goditja kardiake ka qenë e menjëhershme dhe fatale për 51-vjeçarin Banjo, i cili mësohet të jetë nga provinca e Herkolanos, në Napoli. Ai punonte prej vitesh si marinar në det dhe mesa duket, ka gjetur vdekjen në ujëra të huaja. Burime nga Porti i Durrësit bëjnë të ditur se vdekja e tij ka ndodhur dje, rreth orës 07:00, vetëm pak çaste nga momenti që trageti "Major", i cili ishte nisur nga Porti i Barit të Italisë, ishte ankoruar në portin më të madh shqiptar. Ky mjet civil lundrues kontraktohet kryesisht për transport trupash dhe mjetesh ushtarake. Udhëtimi i radhës nuk ka qenë i zakonshëm për ekuipazhin e anijes, të cilët janë përballur me humbjen e parakohshme të njërit prej pjesëtarëve. Trupi i pajetë i 51-vjeçarit është dërguar për në morgun e spitalit të Durrësit, ku iu nënshtrua ekspertizës mjekoligjore, ndërsa me shërbimet e fundit, përfshirë edhe kthimin e trupit të pajetë në vendlindje, është marrë një prej agjencive funerale të njohura në Durrës. Sapo janë sinjalizuar, te "Major" ka mbërritur menjëherë për ngjarjen e ndodhur, grupi hetimor që ka marrë dëshmitë e para mbi rrethanat dhe viktimën. Ky nuk është rasti i parë i vdekjes së një marinari të huaj në Portin e Durrësit. Pak vite më parë, një tjetër marinar italian, në të njëjtën moshë, ka humbur jetën po për shkak të një infarkti. Viktima ishte marinari Françesko Assantino, 52 vjeç, po nga Napoli i Italisë, nga provinca Torre del Greko e këtij rajoni. Ai punonte prej disa kohësh në tragetin "Flaminia". Marinari italian u gjet pranë barit të tragetit dhe u dërgua menjëherë për në spitalin e qytetit bregdetar, po ashtu si në rastin e marinarit të anijes "Major" nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore. Me gjithë ndërhyrjen e bluzave të bardha të këtij qyteti, nuk është bërë i mundur rikthimi në jetë i marinarit, pasi goditja kardiake ka qenë e fortë dhe vdekjeprurëse. Të njëjtin fat ka pasur dhe një kapiten grek, cili humbi jetën në anijen e tij, e cila e kishte hedhur spirancën në Portin e Durrësit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›