E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje me armë në Durrës, plagoset polici

Një sherr banal ka degjeneruar me plagosjen me armë zjarri të dy të rinjve, një prej të cilëve efektiv i Policisë së Dibrës. Burime nga Policia e Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur dje pasdite në një lokal në lagjen 18, afër repartit të zjarrfikësve. Protagonistë të ngjarjes janë Vlash Ashiku, 27 vjeç, i cili mësohet se është efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Dibrës, që në momentin e ngjarjes ka qenë i veshur civil, si dhe Sehat Muda, 27 vjeç, lindur në Dibër, por që prej dy muajsh jetonte në qytetin bregdetar. Ai, që prej muajit shkurt, jetonte në një shtëpi në zonën e plazhit. Duke iu referuar të njëjtave burime, mësohet se ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 18:00 dhe dy shokët dibranë kanë qenë në një lokal në periferi të qytetit, kur janë përfshirë në një sherr. Armando lama, 19 vjeç, klient i lokalit ku ata ishin ulur, pati debate të ashpra me kamerierin dhe pak minuta pas debatit u kthye aty me një pistoletë në dorë. Sipas policisë, kur ka parë personin e armatosur, polici dibran ka ndërhyrë për të shmangur krimin, por 19-vjeçari ka shtënë ën drejtim të tij dhe shokut, duke i plagosur të dy. Agresori është larguar menjëherë nga vendngjarja, për t‘i shpëtuar prangosjes. Mësohet se polici është plagosur në kofshë, ndërsa shoku i tij në këmbë. Të dy u dërguan menjëherë për në spitalin civil të qytetit, ku i janë nënshtruar trajtimit mjekësor dhe tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Sapo u sinjalizuan për ngjarjen, në vend shkoi grupi hetimor, i cili ka nisur nga puna për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit të krimit. Burimet policore thanë dje në mbrëmje se 19-vjeçari Armando Lama është banor i zonës ku ndodhet lokali, pranë ish-kënetës. Ai është shpallur menjëherë në kërkim policor, por deri në orët e vona të natës së mbrëmshme nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›