Basha: Strehëzat antitrafik, ndihma më e mirë për viktimat

Tiranë, 23 Janar NOA - Gjatë një takimi me përfaqësuesit
e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, Ministri i Brendshëm Lulzim
Basha shprehu sot angazhimin për të konkretizuar sa më parë porosinë e
Kryeministrit Berisha për të mbështetur financiarisht qendrat e pritjes së
viktimave të trafikimit.
Jeni partnerë jashtëzakonisht të rëndësishëm
të qeverisë në luftën kundër trafikut dhe në këtë kuadër ju kërkoj të sillni sa
më shpejt të detajuara propozimet dhe nevojat tuaja për bashkëfinancim nga
qeveria shqiptare. Pas kësaj, unë ju siguroj që së bashku me kolegun Ksera, do
ti përparësojmë dhe do ti kalojmë në Këshillin e Ministrave brenda një kohe
sa më të shkurtër, -tha Ministri.
Basha vlerësoi se suksesi i partneritetit me
organizatat që veprojnë kundër trafikimit të qenieve njerëzore dëshmohet edhe
nga raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA që e hoqi vendin tonë
nga lista e vendeve në vëzhgim. Basha shprehu besimin se këtë vit Shqipëria do
të vendoset në listën Tier 1, ku është shumica e vendeve të BE, përsa i përket
luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe trajtimit të viktimave të
trafikut.
Ministri nënvizoi ndërkohë se janë përcaktuar
detyrime të qarta për personelin e Policisë së Shtetit në pikat e kalimit
kufitar për të pasur një komunikim të përhershëm me përfaqësuesit e qendrave
antitrafik dhe bashkëpunim të ngushtë gjatë intervistimit për identifikimin e
viktimave potenciale dhe referimit të tyre për asistencë të pakushtëzuar.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e
organizatave Terre des Hommes dhe Arsis, pjesë e koalicionit Bashkë Kundër
Trafikimit të Fëmijëve të cilët u ndalën në problematikën e hasur me fëmijët e
rrugës.
Ministri kërkoi paraqitjen e të gjitha propozimeve
të tyre mbi këtë problem dhe shprehu mbështetjen për ti konkretizuar në një paketë të plotë masash ligjore dhe
sociale për marrjen në mbrojtje të fëmijëve të rrugës.
Basha vendosi institucionalizimin e takimeve
për problemet e trafikimit të qenieve njerëzore, nëpërmjet zhvillimit të tyre
në mënyrë periodike të përmuajshme, si dhe përfaqësimit në këto takime të
institucioneve, anëtarë të Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat e
Trafikimit.
e.r/NOA