Politekniku garanton Ministrinë e Energjetikës për specialistë të rinj
Marrëveshja
Një marrëveshje me Universitetin Politeknik të Tiranës do t’i sigurojë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, specialistë më të kualifikuar dhe projekte më ambicioze në fushën e energjetikës. Kështu u shpreh ministri Dritan Prifti, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Universitetin Politeknik.
"Ne kemi nevojë, sepse në administratën tonë nuk kemi një mendim të kualifikuar dhe kaq profesional sa mund ta thithim në raste të veçanta nga universiteti. Kemi nevojë për oponencë teknike shtetërore, të cilat kalojnë nga ministria jonë dhe vetëm universiteti, profesorët mund të na japin oponencën e duhur për këto projekte teknike", tha Dritan Prifti, ministër i METE.
Në të njëjtën linjë për sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes, ka qenë dhe rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, i cili tha se kontributi i specialistëve që ka ky universitet do të jetë një ndihmë për projektet e rëndësishme që i duhen vendit drejt integrimit në BE. "Ne do të punojmë në përafrimin e projekteve të përbashkëta, që do të parashikojnë programet e investimeve të huaja në Shqipëri, të cilat janë kërkesa të domosdoshme për përfshirjen e Shqipërisë në BE", tha Jorgaq Kaçani, rektor i UP. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm edhe dekanë e specialistë të fakulteteve, si gjeoshkenca, informatika, pjesë përbërëse e UP-së.
#