E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehabilitohet Lapraka, punimet vazhdojnë në rrugën Lord Bajron

Periferia

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka inspektuar punimet për “Rikualifikimin urban të hapësirës në të dy krahët përgjatë rrugës ‘Lord Bajron’”. Kjo rrugë bën pjesë në territorin e Njësisë Bashkiake Nr. 11, konkretisht në lagjen e Laprakës. Kryebashkiaku Rama e konsideroi këtë rikualifikim urban si një model zhvillimi që do të shtrihet në çdo cep të kësaj periferie, ashtu si në të gjithë territorin e Tiranës. Projekti i rehabilitimit konsiston në: rikualifikimin e hapësirave urbane, pajisjen e segmentit të rrugës me elemente të mobilimit urban me karakter çlodhës, argëtues dhe tregtar, pajisjen me elemente të ndriçimit përgjatë trotuarit dhe në hapësirat përkatëse, elemente të gjelbërimit - pemë të larta 4-5 metra, të sistemuara në të dyja krahët e saj, si edhe një brez të dytë me pemë përgjatë aksit rrugor, i cili krijon hapësirën çlodhëse që shoqërohet edhe me elemente të mobilimit urban. Parkimet janë një element i rëndësishëm i projektit. Ato janë konceptuar jo përgjatë rrugës kryesore, por të futura në xhepat e krijuar, duke lejuar kështu qarkullimin e lirshëm të automjeteve. Po ashtu, në të dyja krahët e rrugës “Lord Bajron” është ndërhyrë edhe në hapësirat publike midis pallateve, të cilat kanë nevojë për rikualifikim. Në të gjitha këto zona do të përfshihen elementet çlodhës urbanë, gjelbërim me pemë, stola, por edhe hapësira me karakter argëtues e lojëra për fëmijë, duke bërë që kjo hapësirë publike të kthehet në shërbim komunitetit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›