Basha: Synimi ynë, Tirana qyteti më atraktiv për investime në rajon

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipovic
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti dje në një takim të veçantë, Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipovic.
Kryebashkiaku Basha nënvizoi se vizita e Presidentit Josipovic është e para e një presidenti në Bashkinë e Tiranës, që pas marrjes së detyrës së Kryetarit të Bashkisë. Kjo vizitë, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për Kroacinë, është një inkurajim i madh edhe për Shqipërinë, në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Basha shprehu përgëzimet e tij, për arritjen historike të Kroacisë, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç ishte nënshkrimi i Traktatit të Aderimit në BE, të cilin qytetarët kroatë e rikonfirmuan, gjatë referendumit të zhvilluar pak ditë më parë.
Presidenti kroat Josipovic, duke uruar që rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE, të jetë më e shkurtër se e Kroacisë nënvizoi se statuti i vendit kandidat, do të jetë dhurata më e mirë që mund të marrë Shqipëria, në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Kryebashkiaku Lulzim Basha e ka njohur Presidentin kroat, për projektet strategjike të Bashkisë së Tiranës, siç është zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve dhe ndërtimi i dy linjave të tramit, për të cilat eksperienca e Zagrebit, sipas Bashës, është e mirëpritur.
Ekspertët më të mirë në fushën e urbanistikës, sipas Bashës, janë të angazhuar në hartimin e planit urbanistik.
“Përmirësimi i klimës së biznesit, për ta bërë Tiranën një qytet miqësor dhe më atraktivin për investitorët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon është një nga synimet kryesore”, theksoi në këtë takim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Në këtë funksion, ndër vendimet e para të marra nga Këshilli Bashkiak ka qenë heqja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore. Aktualisht po punohet për reduktimin e lejeve dhe licencave dhe krijimin e një sporteli unik për to.
Transparenca, sipas Bashës, do të jetë në qendër të çdo vendimmarrje në Bashkinë e Tiranës. Çdo taksë e mbledhur dhe e shpenzuar do u bëhet e ditur qytetarëve, sikundër ata do të jenë pjesë e vendimmarrjeve të rëndësishme.
“Zëri i qytetarëve do të dëgjohet, tha Basha, duke filluar nga Kryetari i Bashkisë e të gjithë drejtorët presin dhe dëgjojnë problematikat e qytetarëve”.
Ashtu siç ndodhi gjatë hartimit të buxhetit, ku në çdo njësi bashkiake ai u konsultua me qytetarët, do të vijohet edhe me hartimin e planit urbanistik si dhe iniciativa të tjera të rëndësishme, në shërbim të qytetarëve.
Kryebashkiaku Basha e njohu Presidentin me nismën e tij, për të vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me bashki të vendeve të rajonit të BE-së, por edhe më gjerë. Në këtë kuadër, Basha tha se administrata e drejtuar prej tij është e angazhuar, për të ndërmarrë nismat dhe hapat e nevojshëm, për të sjellë më pranë Tiranën me Zagrebin dhe biznesmenët e dy qyteteve.