E Diel, 1 Nëntor 2026

“Policia shqiptare partner i rëndësishëm në rajon, kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”

25-01-2012 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani priti në një takim Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Ranko Ostojic

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani priti dje në një takim Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Ranko Ostojic. Duke shprehur falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në rrugën e përbashkët të integrimit europian, Ministri Nishani njohu Ministrin Ostojic me disa nga aspektet dhe arritjet kryesore në fushën e luftës kundër kriminalitetit dhe forcimit të rendit e sigurisë publike.
Ministri Nishani theksoi se Policia e Shtetit është e fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme e njëkohësisht në kontrollin rigoroz kufitar.
“Në funksion të këtyre objektivave Shqipëria ka ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë policor jo vetëm me vendet fqinje, por edhe me vendet e rajonit të Europës Juglindore dhe më gjerë dhe policia shqiptare vlerësohet tashmë si partner shumë i rëndësishëm në rajon”, tha Nishani duke përmendur operacionet e përbashkëta policore dhe patrullimet e përbashkëta të kufirit, duke lehtësuar ndërkohë lëvizjen e qytetarëve të thjeshtë përmes pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe një kontrolli të vetëm në hyrje.
Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Ranko Ostojic vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës e në mënyrë të veçantë për ndërtimin dhe funksionimin e një bashkëpunimi të suksesshëm rajonal.
Ministri Ostojic ftoi Ministrin Nishani për një vizitë zyrtare në Zagreb për të firmosur pas disa muajsh edhe marrëveshjen e bashkëpunimit policor mes të dy vendeve, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga Ministri Nishani.
Ministrat Nishani dhe Ostojic diskutuan gjithashtu mbi organizimin strukturor të policive shqiptare e kroate dhe mbi shkëmbimin e përvojave dypalëshe për një ristrukturim të tyre në shërbim të rritjes së efiçensës dhe efikasitetit në luftë kundër kriminalitetit dhe veprimtarive të paligjshme.
Në takim u ra dakord për thellimin e bashkëpunimit për shkëmbimin e përvojës dhe informacionit policor përmes vizitave të ndërsjella të zyrtarëve të policisë në të dy vendet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›