E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, kërkesë BE-së për anëtarësimin



PD-ja i paraqet Kuvendit rezolutën e anëtarësimit

Sot pritet miratimi në seancë plenare

Mazhoranca qeverisëse i kërkon zyrtarisht Bashkimit Evropian statusin e kandidates për Shqipërinë. Parlamenti shqiptar sot pritet të miratojë rezolutën që PD-ja i ka paraqitur Komisionit të Jashtëm Parlamentar. Një kopje e rezolutës i është dërguar edhe PS-së, ndërkohë që sot është parashikuar një mbledhje e Komisionit të Jashtëm para kalimit për miratim në seancën plenare. Përmes kësaj rezolute, grupi parlamentar i PD-së informon BE-në rreth angazhimeve që Kuvendi i Shqipërisë do të ndërmarrë në vijim për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në rezolutë bëhet e ditur se qeveria shqiptare që të paraqesë në fund të këtij muaji kërkesën për aplikimin për statusin kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Më tej, në rezolutë thuhet: “Mirëpresim nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare si dhe institucione të tjera të Bashkimit Evropian të marrin në konsideratë konsensusin dhe vendosmërinë që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë në lidhje me integrimin evropian. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues të zgjedhur dhe të mandatuar të popullit shqiptar, të nisur nga vendosmëria për të përmbushur objektivin strategjik të Shqipërisë për t'u integruar në Bashkimin Evropian, me bindjen dhe besimin se komunitetet evropiane përbëjnë bërthamën e vlerave të demokracisë, lirisë, bashkëjetesës në page dhe stabilitet të qëndrueshëm”. Në këtë mënyrë nis shpjegimi i arsyeve të hartimit të rezolutës së nënshkruar nga kryetari i grupit, Astrit Patozi, mbështetur edhe në respektimin e parimeve universale të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe pakicave; në mbështetje të përpjekjeve për një shoqëri më të begatë nëpërmjet konsolidimit të ekonomisë së tregut dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në dobi të qytetarëve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë; dhe duke rikonfirmuar parimet e politikës së fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit shumëplanësh rajonal, pa paragjykime dhe të çliruar nga hijet e së kaluarës. Ai ka shprehur angazhimin e ligjvënësit shqiptar për të qenë kontribuues aktiv për forcimin e paqes, stabilitetit, bashkëjetesës harmonike dhe zhvillimit të qëndrueshëm rajonal, evropian e më gjerë, që gjithashtu bashkëndan parimet, vlerat dhe synimet mbi të cilat u themelua Bashkimi Evropian. “Kuvendi i Shqipërisë thekson se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, i përcaktuar qartë si objektiv strategjik kombëtar, do të gëzojë mbështetjen e plotë, të vazhdueshme dhe të pakthyeshme të Parlamentit gjatë gjithë procesit që e përshkon atë, konfirmon mbështetjen ndaj parimit se integrimi evropian i Shqipërisë do të vijë si rezultat i meritave individuale, si dhe nënvizon se trashëgimia kulturore, gjeografike dhe historike e Republikës së Shqipërisë bashkëqendron në themelet e kulturës, gjeografisë dhe historisë së kontinentit evropian dhe pellgut mesdhetar”, - nënvizohet në këtë rezolutë. Po ashtu Kuvendi i Shqipërisë shpreh gatishmërinë dhe vendosmërinë për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë me standardet dhe acquis e Bashkimit Evropian, nëpërmjet bashkëpunimit të gjerë dhe afatgjatë mes partive parlamentare shqiptare, nxit qeverinë e Republikës së Shqipërisë të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE përpara fundit të janarit 2009 dhe të raportojë pranë Kuvendit të Shqipërisë për ecurinë e negociatave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›