Kartat e identitetit, jo afate për ata që kanë pasaportë
Berisha: Jo masa shtrënguese për këtë kategori
Buxheti, Berisha-Ramës: Zgjidhe me këshilltarët
Qeveria do të lejojë përdorimin e pasaportave në datën 28 qershor, ditë kur shqiptarët votojnë për zgjedhjet parlamentare. Kryeministri Sali Berisha sinjalizoi dje heqjen e shtrëngimeve kohore për ata qytetarë që janë të pajisur me pasaporta sipas kërkesës së opozitës. Për këtë, Berisha konfirmoi dje se është plotësisht dakord për një raund të dytë diskutimesh. Kjo nënkupton qartë se gjithkush që ka një pasaportë të vlefshme mund të kryejë në çdo kohë aplikimin, pa pasur frikë se më 15 shkurt, 15 mars apo 31 mars nuk do të marrë rrogën, pensionin apo ndonjë shërbim tjetër publik. “Për ata që kanë pasaporta, jam dakord për të bërë një raund të dytë diskutimesh”, - u shpreh Berisha. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha shprehu mbështetjen e tij për propozimet e opozitës, lidhur me përdorimin e pasaportave ditën e zgjedhjeve. Berisha pohoi se ky problem është në diskutim, por që është në pritje të propozimeve konkrete lidhur me këtë çështje. "Propozimet e opozitës, që kërkojnë heqjen e shtrëngimeve për ata që kanë pasaportë, lidhur me marrjen e kartave të identitetit, kam shprehur gatishmërinë t'i vlerësoj dhe jam plotësisht dakord. Është bërë një raund diskutimesh dhe po i presim me shkrim propozimet", - theksoi Berisha.
Kritikat ndaj Ramës
Po dje, Berisha kërkoi nga kryebashkiaku Edi Rama që të gjejë një zgjidhje të shpejtë për ngërçin që është krijuar në Bashkinë e Tiranës, pas rrëzimit të buxhetit të 2009-s. Sipas Berishës, Rama duhet ta diskutojë me këshilltarët e vet dhe jo me policët e bashkisë. "Zgjidhja e buxhetit ka krijuar probleme madhore ligjore dhe morale tek kryetari me korrespondencë i bashkisë. Buxhetin ta diskutojë me këshilltarët, përfaqësuesit e zgjedhur, se për policët e bashkisë, i urdhëron si do", - tha Berisha. Kryeministri konstatoi se rrëzimi i buxhetit ka krijuar probleme madhore, ligjore dhe morale tek kryetari me korrespondencë i bashkisë.