Topalli: Impresionet e mia nga ceremonia e inagurimit të Obamës
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mori pjesë në ceremoninë inauguruese të betimit të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në Uashington DC. Ajo tregon impresionet e saj gjatë kësaj ceremonie, duke u shprehur se ishte një ceremoni e jashtëzakonshme, për të cilën është e vështirë të gjesh fjalë për ta përshkruar. “Unë ndihem shumë e nderuar që pata mundësi të marr pjesë në këtë ceremoni, për ta ndjekur nga afër, vetëm pak metra larg foltores qendrore. Ishte kënaqësi të shihje pjesëtarët e Senatit dhe Kongresit si edhe kryetaren e tij, të pranishëm në këtë ceremoni. Ishte kënaqësi e veçantë të ndiqje nga afër fjalimin e Presidentit të ri, Obama, i cili ndiqej nga mbi 2 milionë amerikanë, një fjalim i cili konsiderohet më i rëndësishmi i çdo Presidenti”, - tha kryetarja e Kuvendit. Referuar fjalës së Obamës, kryetarja Topalli theksoi se Presidenti i ri u ndal në ato që janë sfida kryesore të këtij fillimshekulli të ri. “Ai flet për punën që do të bëjë për më shumë paqe në botë, për punën që do të bëjë për të rimëkëmbur dhe për të bërë edhe një herë lidere ekonominë amerikane. Ai flet për shpresën dhe për fuqinë e madhe që kjo shpresë ka tek ata që e kanë ndjekur gjatë gjithë këtyre muajve dhe që kanë investuar tek Presidenti i ri, Obama, pritshmëritë e tyre më të mëdha”, - deklaroi kryeparlamentarja. Më tej, kryetarja e Kuvendit theksoi se “u ndjeva mirë në këtë ceremoni që përbënte momentin kulmor, por jam ndjerë mirë edhe në ceremonitë festive që janë zhvilluar një ditë përpara dhe po zhvillohen këto ditë nga stafi dhe mbështetësit kryesor të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, e konsideroj si shumë të rëndësishme edhe konferencën që do të zhvillohet për atë që do të jetë perspektiva në 100 ditët e ardhshme, në mënyrë të veçantë për sfidën ekonomike, edhe në kuadër global, të Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.