E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: “SHBA-të, të kënaqura me fitoren e Merkelit”



Presidenti amerikan Barak Obama uroi kancelaren Angela Merkel për fitoren në zgjedhje nëpërmjet telefonit. Deklarata për shtyp e publikuar nga Shtëpia e Bardhë të linte përshtypjen se biseda nuk kaloi në fjalë boshe politike të zakonshme, të cilat do të shkëmbenin në një mbrëmje të tillë zgjedhore. Presidenti është gëzuar për bashkëpunimin e mëtejshëm me kancelaren. Gjermania dhe SHBA-ja janë aleatë të ngushtë dhe kontribuojnë së bashku për lirinë, sigurinë dhe mirëqenien në botë. Por reagimi i shpejtë dhe personal i Obamës tregoi se ai është shumë i interesuar për marrëdhëniet gjermano-amerikane në nivel personal dhe në përgjithësi në bashkëpunimin politik. Vëzhguesit në Uashington shprehen të sigurt se pas urimit, shpejt do të pasojnë edhe kërkesat për qeverinë e re federale. Prej muajsh do të llogaritej me atë që pas zgjedhjeve edhe një herë do të shihej nëse Gjermania nuk dëshiron të bëjë më, për të mbështetur SHBA-në në Afganistan. Në qoftë se ka përsëri një refuzim, të paktën qeveria e re gjermane nuk do të mendojë për një tërheqje të shpejtë të trupave të saj.

Maqedoni
Enciklopedia, BDI-ja në dilemë për koalicionin

Krerët e lartë të BDI-së kane deklaruar se po presin kthimin në vend të kryetarit Ali Ahmeti, për të vendosur mbi qëndrimin ose jo në qeveri. Sipas nënkryetarit të BDI-së, Rafiz Haliti, gjatë kësaj jave kryesia e partisë do të zhvillojë një mbledhje të posaçme për të marrë vendimin në fjalë. Shkak për këtë nismë të BDI-së është bërë botimi i enciklopedisë së re të Maqedonisë, e cila ofendon popullin shqiptar, duke e konsideruar si të ardhur nga malet. Gruevski nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Ahmetit për t’u distancuar nga kjo enciklopedi.

Serbi
Vdes në spital tifozi francez
Ka vdekur në një spital të Beogradit mbështetësi francez i ekipit të futbollit të Tuluzës. Bris Tato ishte një nga dy mbështetësit e ekipit francez që u plagosën nga sulmet e huliganëve serbë. Javë më pare 30 tifozë serbë sulmuan barin ku gjendeshin mbështetësit e ekipit francez dhe i sulmuan ata fizikisht. Ndeshja mes ekipit të Tuluzës dhe Partizanit të Beogradit, që përfundoi me fitoren e francezëve, u luajt në kuadër të ligës europiane.

Egjipt
Hamasi dhe Fatah pranë marrëveshjes

Udhëheqësi i Hamasit, Khaled Meshal, ka thënë se ai dhe rivalët e tij palestinezë të Fatahut, janë pranë arritjes së një marrëveshje për pajtim. Meshal e bëri këtë deklaratë pas bisedimeve që u zhvilluan në Kajro rreth propozimeve të Egjiptit për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve dy vjeçare mes Fatahut dhe Hamasit. Ai tha se inisiativa egjiptiane ishte pozitive, edhe pse Hamasi ka bërë disa sugjerime për ndryshime të cilat i pret të pasqyrohen në versionin përfundimtar të saj. Fatahu i ka pranuar propozimet e Egjiptit në parim.

Guine
128 të vdekur në protestën e opozitës

Janë të paktën 128 viktimat e represionit të manifestimit të organizuar nga opozita në Konakri, në Guine. Lajmin e bën të ditur partia e opozitës Sydia Toure përmes një komunikate për shtyp, në të cilën thuhet se anëtarët e gardës pretoriane kanë ushtruar akte dhune edhe ndaj grave. Sipas burimit, autoritetet kishin ngritur një kurth për njerëzit e mbledhur në masë. “Ushtria ka pritur që stadiumi të mbushej plot, për t’u futur më pas dhe për të qëlluar ndaj turmës”,- thuhet më tej në komunikatë. Kjo konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në këtë vend.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›