E Diel, 1 Nëntor 2026

“100 vjet vetmi” libri më i mirë i 25 viteve të fundit



Libri i Gabriel Garsia Markezit “Njëqind vjet vetmi” është shpallur si libri më i mirë në 25 vitet e fundit, në një sondazh të ri. Autorët dhe ekspertët më të mirë të letërsisë kanë peshuar librat më të preferuar për revistën ndërkombëtare të literaturës, “Wasafiri”, që ditë më parë mbushi pikërisht 25 vjet. Tre shkrimtarë kanë zgjedhur librin e Marquez, ndërkohë që Salman Rushdie dhe Michael Ondaatje janë paraqitur në listë nga dy herë me dy libra të ndryshëm. Edhe libri i kujtimeve i Barak Obamas, “Dreams from My Father”, po ashtu ka gjetur vend në listën e librave më të preferuar të dekadave të fundit. Është për të ardhur keq që megjithëse vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në mbi 45 gjuhë dhe ka marrë çmime prestigjoze letrare si “Man Booker Prize” apo së fundi, edhe çmimin e rëndësishëm spanjoll “Princi i Asturias”, çuditërisht, revista ndërkombëtare letrare “Wasafiri” dhe organizatorët e kësaj gare nuk e kanë marrë parasysh këtë fakt pasi shkrimtari shqiptar nuk ka pasur mundësinë as që të hyjë në këtë sondazh. Ndoshta në gjithë këtë ka ndikuar mungesa e botimeve të shpeshta të veprës së Kadaresë në gjuhën angleze, mbase kjo mund të quhet edhe si një mangësi e konkursit, gjithsesi, këtë nuk na takon neve që ta themi. Le të shpresojmë që në të ardhmen, një gjë e tillë nuk do të përsëritet, duke qenë se gjatë gjithë kësaj dekade shkrimtari ynë është botuar së tepërmi edhe në botën anglofone.

Stina “Klasik”

Kuarteti italian i harqeve çel sezonin koncertor në Akademinë e Arteve

Të martën starton në Akademinë e Arteve në Tiranë sezoni i dhjetë i stinës koncertore ndërkombëtare “Klasik”. Do të jetë koncerti i kuartetit italian të harqeve “Archimede”, grupi që do të mbajë koncertin e parë të kësaj stine. Kuarteti përbehet nga Enzo Ligresti e Corrado Genovese në violinë, nga Gaetano Adorno në violë, dhe violonçelisti Benedetto Munzione. Repertori artistik i kuartetit shtrihet në një fushë të gjerë muzikore, nga Haydn deri te Sostakovic, duke përshkuar tre shekuj repertori të muzikës së dhomës.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›