E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni vendos: Nuk lejohen aleancat e pjesshme zgjedhore



Komisioni i posaçëm parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka vendosur gjatë mbledhjes së djeshme që të mos lejohen aleancat e pjesshme zgjedhore. Kështu, një parti politike do të ketë mundësinë të futet në zgjedhje vetëm si pjesë e një koalicioni dhe nuk do të lejohet bashkëpunimi i saj me një parti tjetër në një iks zonë zgjedhore. Gjatë mbledhjes së djeshme anëtarët e komisionit të posaçëm parlamentar kanë rënë dakord për koalicionet e përbëra. Kjo ka qenë një ndër pikat më të debatuara të reformës zgjedhore. Bashkëkryetari i Komisionit për Kodin Zgjedhor, Fatmir Xhafaj, ka bërë të ditur se pavarësisht debateve, pika që parashikon futjen në zgjedhje të koalicioneve të përbëra është miratuar me konsensusin e të gjitha palëve. Po kështu, drafti i miratuar dje nga ky komision parashikon që në listat e partive politike të parashikohet që 30% e kandidatëve për deputetë të jenë femra. Pikërisht kjo dispozitë është parashikuar të jetë taksative, pasi nuk do të lejohet asnjë parti politike që të regjistrohet në KQZ në rast se nuk e respekton këtë kuotë.
Ndryshimet
Drafti i miratuar dje në mbledhjen e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor parashikon që “dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhor në KQZ, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Po kështu, anëtarët e komisionit kanë rënë dakord të mos lejojnë aleancat e pjesshme. “Një parti politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”, - bëhet e ditur në draft.
Projekti më tej parashikon që partitë pjesëmarrëse në koalicion do të futen në zgjedhje me listën e tyre të kandidatëve për deputetë për çdo zonë zgjedhore. “Partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor sipas neneve të këtij Kodi, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëtare e një koalicioni depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve”. Po kështu, anëtarët e komisionit kanë rënë dakord që të rrisin kuotën e përfaqësimit të grave në politikë duke sanksionuar që në listat e kandidatëve 30% të jenë femra. “Për çdo zonë zgjedhore të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore ose/dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen në lidhje me përbërjen e listës shumemërore sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ-ja”, - shkruhet në projektin e miratuar dje nga komisioni parlamentar. Në këtë projekt është parashikuar kandidimi dhe i deputetëve të pavarur, por ky i fundit duhet të mbështetët nga një grup zgjedhësish dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë partie apo koalicioni që konkurron në zgjedhje.
Debati
Pritet që komisioni të përfshihet në debate në të ardhmen për përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor. Këtë e ka konfirmuar dje dhe bashkëkryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj. Ai bëri të ditur se pikërisht çështje si përbërja e KQZ-së, por dhe të tjera që kanë një rëndësi të veçantë, do të sjellin vonesa. Xhafaj bëri të ditur se komisioni nuk i përfundon punimet brenda afatit ligjor të përcaktuar nga Parlamenti, që është data 30 shtator. Madje ai nënkuptoi se do të ketë një shtyrje të afatit të këtij komisioni. “Jo, nuk e kapim 30 shtatorin. Ne bëmë të gjitha përpjekjet. Është bërë një punë e konsiderueshme nga grupi i ekspertëve. Nuk mund ta paragjykoj, por është një çështje që ka debat, pra përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ka arsye që të ketë debat”, - ka bërë të ditur Xhafaj. Pikat kryesore të projektit
Subjekt zgjedhor është një parti politike, ose një koalicion partish politike, të cilat paraqesin listë shumemërore për kandidatë, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.

Subjekt zgjedhor mund të jetë edhe një shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili propozohet si kandidat për deputet nga një grup zgjedhësish.

Dy ose më shumë parti politike mund të regjistrohen në KQZ si koalicione zgjedhore në shkallë vendi, 50 ditë para datës së zgjedhjeve.

Një parti politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.

Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt më vete, ose edhe e një koalicioni të tërë, nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve të deputetëve që do të zgjidhen në një zonë zgjedhore.

Kandidati i propozuar nga një grup zgjedhësish nuk mund të jetë pjesë e asnjë partie apo koalicioni që konkurron në zgjedhje dhe as të mbështesë haptazi apo në mënyrë të tërthortë ndonjë subjekt apo kandidat tjetër që konkurron në zgjedhje.

Për çdo zonë zgjedhore të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore ose/dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›