E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti: “ISSH-ja ka kryer 7 vepra penale në dëm të ish-ushtarakëve”



Laureta Rryçi
Tiranë – Drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore, duke filluar nga ai i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe deri tek ata të drejtorive rajonale, lidhur me trajtimin e ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar pleqërie, me veprimet e mosveprimet e tyre kanë asimiluar një sërë veprash penale. Në këtë përfundim ka mbërritur eksperti ish-ushtarak Kadri Muka. Në një analizë për raportin e krijuar mes institucionit të ISSH-së dhe ish-ushtarakëve ai sjell fakte ligjore mbi padrejtësitë që janë bërë në kurriz të tyre. Muka shkon edhe më tej duke përcaktuar konkretisht nenet që ai supozon që janë shkelur nga drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore. Sipas tij, veprat penale që presupozohet të jenë kryer nga zyrtarët mbi ish-ushtarakët janë të dënueshme nga Kodi Penal duk pasur secila vepër penale nga dy vjet burg deri në shtatë vite burgim. Ish-ushtarakët janë prej kohësh në konflikt me Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore duke ngritur pretendimin se nuk u janë dhënë shumë përfitime që u takojnë prej Statusit të Ushtarakut.
Shkeljet
Sipas Mukës, vepra e parë penale konsiston në kryerjen ose moskryerja me dashje e veprimeve ose e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbënë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të ushtarakëve që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar pleqërie. Sipas ekspertit, pasojat kanë qenë në financat e çdo ushtaraku që nuk kanë mundur dot të përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. “Për shkak të tyre, ushtarakëve, në kundërshtim me nenin 11 germa “a” dhe “b” të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar; 50% e pagës referuese për 12 vjet vjetërsi shërbimi femrat dhe 15 vjet meshkujt dhe 2% më shumë të pagës referuese për çdo vit tjetër vjetërsie shërbimi, pa kaluar shtesa e 2% për vitet mbi 12 e 15 vjetshin pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi nga 1 janari 1999 deri më 14 maj 2004, u është dhënë një masë pensioni deri në masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, duke e zbritur masën e përfitimit nën minimumin 50% për kohën minimale”, - shpjegon eksperti Kadri Muka. Ndërkohë për të vepra e dytë penale është kryerja e veprimeve dhe dhënia e urdhrave arbitrare gjatë ushtrimit të detyrës, të cilat kanë prekur të drejtën e ushtarakëve për t’u trajtuar me pension të parakohshëm dhe pension suplementar në përputhje me ligjin. Sipas tij, pasoja në këtë rast ka qenë moszbatimin e nenit 11 të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar, sipas përcaktimit të germës ”a” dhe ”b”, por duke e kufizuar gjithë pensionin sa masa e pensionit maksimal të pleqërisë. Moszbatimi i nenit 49 të Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 ”Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, që shfuqizon kufizimin e germës ”b” të nenit 11, është një veprim tjetër që ka prekur të drejtën e përfitimit sipas ligjit. Këtyre u shtohet moslidhja e pensionit të parakohshëm sipas nenit 35 të ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004, pra me plotësimin e vjetërsisë 12 vjet femra e 15 mashkulli, por pas mbushjes së moshës 44 vjeç femra dhe 47 mashkulli dhe pas trajtimit me pagë kalimtare, si dhe ndërprerja e pensionit në rast punësimi që është në shkelje të pikës 2 të këtij neni. Në veprimet që mohojnë të drejtën ligjore të ushtarakut bëjnë pjesë edhe mosdhënia e pensionit suplementar ushtarakëve në pension pleqërie para 1991 dhe vazhdimi i dhënies së këtij pensioni ushtarakëve të dalë në rezervë e lirim nga 1992 e në vazhdim me nenin 12 të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar dhe jo nenit 15 e 16 të Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 nga 1 janari 2006 e në vazhdim. Trajtimi me ligj të shfuqizuar dhe jo me ligjin në fuqi prej 1 janarit 2006, është pjesë përbërëse e kësaj vepre penale.
Mosmarrja e masave
Sipas ekspertit, vepra e tretë penale është mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat veprimit arbitrar. Edhe pse drejtuesit e ISSH-së dhe të drejtorive rajonale janë bërë me dije për shkeljet ligjore nëpërmjet kërkesës së SHKURSH, kërkesave të ushtarakëve, vendimeve përfundimtare të formës së prerë të gjykatave që nga ato të shkallës së parë, apelit e gjykatës së lartë, ato nuk kanë ndërprerë e nuk kanë kërkuar pranë personit kompetent që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë. Sipas Mukës, gjendja e paligjshmërisë ka filluar që më 1 janar 1999 dhe vazhdon edhe sot, pas 10 vjetësh. “Përpjekjet për të mbrojtur paligjshmërinë në proceset gjyqësore prej përfaqësuesve të ISSH-së dhe drejtorive rajonale, kur për të janë shprehur me vendim të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke i dhënë të drejtë ushtarakëve rëndon më së tepërmi këtë vepër penale që vazhdon të kryhet prej tyre” shprehet eksperti. Për të vepra e katërt penale është kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, të dallimeve që ka konsistuar në refuzimin e të drejtës dhe përfitimit të ushtarakëve të masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar pleqërie që buron nga ligji. Ndërsa vepra e pestë penale ka të bëjë me pengimin për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, nëpërmjet fshehjes, tjetërsimit të provave dhe kryerjes së veprimeve të tjera me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor. Sipas ekspertit Muka, shkeljet vijojnë veprën e gjashtë penale, që kanë të bëjnë me mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës. ISSH dhe disa drejtori rajonale të Sigurimeve Shoqërore janë vënë përballë detyrimit të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të formës së prerë të gjykatave, për të rillogaritur dhe paguar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi në përputhje të plotë me germën ”a” dhe ”b” të nenit 11 të Ligjit nr. 9418, datë 20.5.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Së fundi, eksperti ka konsideruar veprën e shtatë penale kryerjen e veprimeve në kundërshtim me vendimet e gjykatës. Mospasqyrimi i vendimit përfundimtar të formës së prerë të gjykatës në kartelën personale të pensionit dhe për rrjedhojë edhe mosdhënia e pensionit sipas asaj që detyron vendim i gjykatës, por në masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, përbën një veprim të pastër në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Nenet përkatëse të Kodit Penal
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me Ligjin nr. 9275, datë 16.09.2004, neni 21)
Kryerja ose moskryerja me dashje veprimeve a e mos veprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbënë mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksion publik, kur i ka sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta dhe kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbënë vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milionë lekë.

Neni 250
Kryerja e veprimeve arbitrare
Kryerja e veprimeve dhe dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 251
Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme
Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendje për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Neni 253
Shkelja e barazisë së shtetasve
Kryerja për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e punonjësit me funksion shtetëror apo në shërbim publik, të dallimeve mbi bazë origjine, seksi, gjendjes shëndetësore, bindjeve fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të përkatësisë në një etni, komb, racë apo fe të caktuar, që konsiston në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

Neni 320
Pengimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës
Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve për të cilën është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbënë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Neni 320/a
Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës
(shtuar me Ligjin nr. 8733, datë 20.01.2001, neni 78)
Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi penal ose civil të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, përbënë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fitimi ose çdo interesi tjetër të dhënë ose të premtuar, si dhe për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Neni 321
Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës
Kryerja e veprimeve në kundërshtim me vendimet e gjykatës në lidhje me detyrimet e lindura nga dënimet plotësues të dhëna prej saj, përbënë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

27 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›