E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Të ndryshohet sistemi fiskal i pushtetit vendor

Në konferencën e organizuar nga një universitet privat, “Mbështetje për zhvillimin vendor”, Basha theksoi se në shumë njësi të qeverisjes vendore lejohet informaliteti, duke u klasifikuar si biznese të vogla, edhe ato me xhiro më të madhe se sa ajo e përcakuar për bizneset e vogla, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë në arkën e bashkise apo komunës.

Domosdoshmërinë e reformës fiskale, zoti Basha e ka bazuar edhe në faktin se ndonëse Tirana mbledh të ardhura më shumë se të gjithë njësitë e tjera vendore të Shqipërisë të marra sëbashku, prapë si përqindje për frymë, Tirana është disa herë më e varfër se Kashari, Farka apo të tjera njësi vendore rreth e qark Tiranës dhe një gjë e tillë ndodh edhe në bashki të tjera të mëdha.

 “Është e domosdoshme të rishikojmë edhe njëherë sistemin aktual fiskal të pushtetit vendor, veçanërisht atë të mbledhjes së taksës së biznesit të vogël. Përvojat e Bashkimit Evropian tregojnë se jo çdo lloj decentralizimi funksionon dhe funksionon mirë për pushtetin vendor ndaj unë dua të bëj sot “avokatinë” publikisht dhe t’u kërkoj edhe në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të gjithë partnerëve tanë, aktorëve të pushtetit lokal, komunave, bashkive, qeverisë qendrore, përfaqësuar këtu nga zv/ministri i pushtetit lokal, Z.Poni, partnerëve tanë me përvojë në këtë drejtim, t’i futemi një reforme thelbësore për të rishikuar mënyrën se si mblidhen dhe shpërndahen të ardhurat për pushtetin vendor, me qëllim të luftojmë informalitetin pavarësisht nëse ndodhet në prag të hendekut 8 milionë, apo përtej hendekut 12 milionë dhe të bëjmë një shpërndarje të drejtë, të drejtë dhe të barazvlefshme (jo të barabartë) të të ardhurave për qytetarët tanë, pavarësisht se ku jetojnë, të jemi në gjendje që t’ i investojmë këto të ardhura, në raport me numrin e banorëve”, tha Basha.

Ai u  ndal edhe tek nevoja për të rishikuar ndarjen administrative të vendit tonë, me qëllim një administrim më efiçent të territorit dhe një shërbim më të mirë për qytetarët.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka nënvizuar se përfshirja e qytetarëve në vendimarrje, ka shumë rëndësi për orientim të drejtë të vendimarrjes, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit që pushteti vendor ofron.  “Qytetarët nuk mund të kufizohen në vendimarrje një herë në katër vjet, sa herë ka zgjedhje”, vijoi ai. Start/

                                                                                             2012-06-22 16:41
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›