E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha Tirana model i bashkejeteses fetare

Modeli i bashkëjetesës që ofron vendi ynë ishte temë e takimit të zhvilluar sot mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe zonjave Hannah Rosenthal e Farah Pandith, të dërguarat e posaçme të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe Kongresit Amerikan. Gjatë bisedës, zonja Rosenthal dhe zonja Pandith kanë vlerësuar klimën e shkëlqyer të tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri një shembull në mbarë botën siç e cilësuan ato.
Në veçanti ato shprehen  një mirënjohje të thellë për popullin shqiptar, i cili gjatë holokaustit nuk dorëzoi asnjë nga hebrenjtë e tij në duart e nazistëve, por, përkundrazi, i mbrojti, strehoi dhe i shpëtoi ata. Madje, ndalur në këtë çështje, të dërguarat e posaçme të Sekretares Amerikane të Shtetit i bënë të ditur zotit Basha se në një mesazh promocianal që ato kanë bërë të titulluar “2011 hours against hate” kanë cituar rastin e Shqipërisë si shembull për mbrojtjen që i bëri komunitetit hebre gjatë holokaustit.
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e konsideroi shumë të rëndësishëm mision e tyre sikundër vlerësoi kontributin që SHBA japin çdo ditë për konsolidimin e tolerancës dhe harmonisë midis komuniteteve fetare apo etnike në botë. Zoti Basha nënvizoi se Tirana është një nga qytetet ku shembulli i bashkëjetesës fetare është i prekshëm në çdo cep. Po kështu kryebashkiaku Basha tha se po bëhen përpjekje të mëdha për të luftuar diskriminimin. Për këtë arsye është hapur dhe një zyrë e posaçme në Bashkinë e Tiranës.
Më pas, të shoqëruara nga zoti Basha, ato kanë vizituar edhe xhaminë e Tiranës, e cila është edhe një monument me vlera historike. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›