Basha: Vrasjet, kemi rezultatet më të mira të 10 viteve të fundit
Policia shqiptare ka regjistruar sivjet numrin më të vogël të vrasjeve të ndodhura gjatë 10 viteve të fundit. Kështu është shprehur dje ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili mori pjesë në analizën e punës së Departamentit të Hetimit të Krimeve. Ministri Basha vlerësoi rezultatet e arritura nga strukturat e hetimit të krimit në goditjen e elementëve dhe grupeve kriminale, rezultate që kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e klimës së sigurisë në vend. Basha u shpreh se rezultatet në këtë drejtim dëshmojnë më së miri për luftën pa kompromis dhe me tolerancë zero të strukturave të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. Duke u ndalur te fakti se krimi i vrasjes për këtë vit, me 79 raste, është më i ulëti i regjistruar në dhjetë vitet e fundit, ministri Basha nënvizoi se ky tregues, dukshëm më pozitiv edhe se një pjesë e madhe e vendeve të Bashkimit Europian, është tregues i frenimit të kriminalitetit përballë forcës së Policisë së Shtetit. E ndërsa vlerësoi nivelin e zbulueshmërisë së veprave kriminale në masën 88%, Basha kërkoi rritjen e mëtejshme të profesionalizmit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve teknike dhe burimeve njerëzore për t‘iu përgjigjur sfidave të reja në luftën kundër të gjitha dukurive kriminale."Përmirësimi i punës parandaluese e zbuluese dhe rritja e forcës goditëse ndaj të gjitha veprimtarive kriminale, forcimi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i sigurisë për qytetarët shqiptarë, rritja dhe thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat homologe të rajonit dhe të vendeve të Bashkimit Europian, të qenit partner i besueshëm, i përkushtuar dhe rezultativ për organizmat policorë ndërkombëtarë, duhet të jenë objektivat dhe baza kryesore e punës së Policisë së Shtetit, e posaçërisht e Departamentit të Hetimit të Krimit", u shpreh ministri Basha. Vlerësime dhe përgëzime të posaçme shprehu ministri Basha për veprimtarinë e kryer gjatë këtij viti nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit. Ministri Basha cilësoi si arritje tepër të rëndësishme instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe pajisjen e këtyre pikave me mjetet dhe teknologjinë më të avancuar të kontrollit, instalimin e sistemit të analizës së informacionit MEMEX në drejtoritë e policisë në qarqe dhe vënien në funksionim të qendrës operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Prezantimi i rezultateve të arritura gjatë vitit 2009 nga strukturat e hetimit të krimit u bë nga zv/drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, i cili i vlerësoi si shumë optimalë treguesit e arritur gjatë këtij vitit, të cilat janë rezultate krahasimisht më të mira në raport me vitet e mëparshme. Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentoi faktin se strukturat qendrore dhe vendore, pjesë e Departamentit për Hetimin e Krimeve, jo vetëm që kanë ruajtur ritmet e viteve të shkuara, por janë angazhuar plotësisht për të maksimalizuar rezultatet në luftën kundër krimit, si dhe në rritjen e treguesve të punës dhe performancës së punonjësve të saj, gjë që më së miri ilustrohet me faktin se për të disatin vit rresht, vrasjet në Shqipëri mbahen me rendin dyshifror, por ky vit përbën rekordin e tyre. Kuliçaj vlerësoi gjithashtu kontributin e gjithsecilit punonjës policie të strukturave të Hetimit të Krimit, si dhe sakrificat që këta punonjës kanë bërë në luftë me të keqen, duke u ndalur në mënyrë të veçantë dhe vlerësuar kujtimin e atyre punonjësve të këtij departamenti që nuk janë më, duke pasur parasysh edhe rastin e katër oficerëve të policisë, të cilët u vranë gjatë kapjes së të shumëkërkuarit Dritan Dajti.