Kumbaro, "lojë" me gjykatat shqiptare e angleze
Avokatët kërkojnë përjashtimin nga procesi ndaj Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Ilir Kumbaros të trupës gjykuese, pasi sipas mbrojtjes, të njëjtët gjyqtarë kanë shqyrtuar edhe masën e sigurisë së Kumbaros dhe për këtë ka papajtueshmëri ligjore. Një javë pasi kjo trupë dha arrest me burg për Ilir Kumbaron, kur Gjykata e Lartë e kishte shuar këtë masë ndaj të pandehurit, avokatët pretendojnë se Krimet e Rënda duhet të caktojnë gjyqtarë të tjerë për dosjen. Në fakt, edhe vetë kryetari i gjykatës kërkoi dorëheqjen e trupës nga çështja, por apeli i Krimeve të Rënda nuk e pranoi, duke e argumentuar se është normale që i njëjti gjyqtar që kryen masën të bëjë edhe procesin. Megjithatë, tashmë që mbrojtja ka qëndrimin e saj për këtë çështje, togat e zeza do ta rishqyrtojnë sërish kërkesën dhe do të shprehen me vendim të martën e ardhshme.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se ka nisur urgjentisht vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që riktheu masën e arrestit me burg për Ilir Kumbaron. Burime nga akuza e Krimeve të Rënda pohuan se vendimi në anglisht është dërguar me letër-porosi dhe tashmë pritet se çdo të bëjë gjykata londineze për ta ekstraduar 56-vjeçarin, për llogari të procesit gjyqësor që ka mbi një vit i hapur. Sipas tyre, Kumbaro po "luan" me gjykatat në Angli e Shqipëri, duke sorollatur drejtësitë përkatëse me shpresën se nuk mund të përballet për akuzat e zhdukjes së trefishtë.
Ilir Kumbaros iu shuajt masa e arrestit në fillim të këtij muaji nga Gjykata e Lartë, pasi, sipas Kolegjit, që prej 2004-s ajo i kishte humbur efektet e saj procedurale. Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda e konsiderojnë ish-shikasin Ilir Kumbaro një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nisur edhe nga fshehja për një kohë të gjatë në Angli me identitet të rremë. Ai akuzohet për rrëmbim e torturë të trefishtë dhe nisur nga rrezikshmëria e veprave penale që kanë një minimum prej 10 vitesh burg, gjykata ka rivendosur ndaj personit në fjalë masën "arrest me burg", duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit, në fillim të këtij muaji, do të lironte nga burgu Kumbaron, i arrestuar në Angli dhe me procedura ekstradimi në vendin tonë. "Mbi bazën e rekursit të bërë nga mbrojtësit e të pandehurit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin numër 274, datë 2 dhjetor të këtij viti, ka vendosur prishjen e masës së sigurisë për arrestin në burg. Nga materialet e administruara në dosje rezulton se i pandehuri Ilir Kumbaro është larguar nga Shqipëria në vitin 1996. Kërkesa për ekstradimin e shtetasit Ilir Kumbaro nuk u bë deri në përfundimin e hetimeve paraprake në prill të vitit 2008, pasi nuk ishim në dijeni të adresës së tij të saktë. Kishte vetëm dyshime se ai ndodhej në Angli, por asgjë të zyrtarizuar", thanë burimet nga akuza qendrore.
S.Ç.