E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarë, plagoset rëndë polici bashkiak

Një polic i Bashkisë së Himarës është plagosur rëndë të hënën, pasi është goditur me mjete të forta nga një person që kundërshtonte urdhrin e policisë bashkiake për ndërprerjen e punimeve në një ndërtesë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Spilesë në Himarë, gjatë ndërhyrjes në një ndërtim pa leje me konstruksion të lehtë druri.
I plagosuri Kastriot Hallkaj tregoi dje për gazetën "Shqip", se përplasja me një nga punëtorët ndodhi gjatë tentativës për të ndaluar punimet. Ai tregon se bashkë me përgjegjësin e policisë bashkiake të Himarës, Roland Gjini, kishte shkuar për të pezulluar këtë punim, pasi e konfirmuan se ishte ndërtim pa leje. "Shkuam për të zbatuar vendimin e Këshillit Bashkiak, si edhe urdhrin e kryetarit të bashkisë Vasil Bollano. Por në momentin që ne po largonim punëtorët dhe shefi i policisë bashkiake po debatonte me ndërtuesin Vllado Bollano, unë për të shuar sherrin dhe për të ulur tensionin ndërhyra. Ndërkohë, personi Vllado Bollano, në pabesi mori një dru nga ato të skelave dhe më goditi në pjesën e kokës", tregon nga spitali i Vlorës punonjësi i policisë bashkiake të Himarës. Ai ka humbur ndjenjat pas goditjes dhe është përmendur në spitalin e Himarës. Aty polici bashkiak ka marrë mjekimin e parë dhe më pas u dërgua për në spitalin e Vlorës, pasi plaga ishte e thellë dhe kërkonte një specialist të mirëfilltë. "Koka më është çarë rreth 10 cm dhe është një çarje e thellë", tregon polici.
Një oficer i policisë gjyqësore të Vlorës shkoi të hënën në mbrëmje në spitalin e Vlorës për të marrë denoncimin e policit të dëmtuar dhe menjëherë nisën hetimet për ngjarjen. Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Vlorës, por deri dje nuk është mundur të vihet në pranga agresori. Policia e Vlorës ka shkuar dy herë në banesën e Vllado Bollanos për ta shoqëruar atë në Komisariatin e Vlorës, për akuzën e goditjes me mjete të forta për shkak të detyrës, por nuk e ka gjetur dhe ai është shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›