Holanda: Kriza? Të gjitha palët janë gabim
"Parlamenti është vendi ku dialogu politik zë vend. Parlamenti nuk është atje vetëm për të miratuar ligjet që miraton qeveria, por duhet edhe të ngrejë pyetje për qeverinë, ta monitorojë atë dhe të dialogojë me të". Kjo ishte deklarata e djeshme e ambasadorit të Holandës në Tiranë, Henk Van den Dool, në emisionin "Studio e hapur" në "Alsat". Duke pasur një Parlament të fortë që funksionon mirë, çdo qeveri do të ishte një qeveri më e mirë, tha ai, sepse është një dialog nga i cili merr formë demokracia. "Kjo situatë nëse vazhdon akoma e rrezikon progresin që po bën Shqipëria drejt rrugës se integrimit europian. Ky është një shqetësim i madh, sepse unë shpjegova se vendi im është një mik i Shqipërisë dhe ne duam që ajo të ketë sukses në procesin drejt BE-së", tha ambasadori. Ai u shpreh se Komuniteti Ndërkombëtar, duke përfshirë edhe vendin tim, ishte prezent gjatë zgjedhjeve dhe mandatet u shpërndanë, koalicioni u krijua dhe kështu u krijua edhe një qeveri legjitime dhe për këtë gjë nuk mund të flasim më tepër. "Ajo që unë vë re është se opozita po bojkoton Parlamentin dhe për këtë kanë arsyet e tyre. Si ambasador unë flas me shumë njerëz, qoftë nga opozita, nga qeveria me njerëz jashtë sferës politike për mënyrat që ka zgjedhur opozita dhe kërkesat që ata kanë. Për mua është e qartë se për ta shqetësimet e tyre janë të drejta, por unë nuk mund të vendos, as mund të gjykoj nëse ata kanë shqetësime të drejta apo të gabuara", vlerësoi ambasadori. Ata mendojnë, vijoi ai, që këto janë shqetësime të vërteta dhe kjo po na çon në një situatë kur opozita mendon se është e nevojshme të bojkotohet Parlamenti. "Unë nuk mund të komentoj kush ka të drejtë dhe kush ka gabim, por kjo po çon në një situatë që është problematike dhe jo vetëm për opozitën, edhe për mazhorancën, por edhe për Shqipërinë", vlerësoi ai. Ambasadori insistoi se tani nuk ka demokraci funksionale dhe se të gjithë palët janë gabim. "Ajo që më shqetëson është se unë nuk shoh një anë tjetër të medaljes në këtë moment, një dëshirë për ta kapërcyer këtë pjesë gri dhe për t‘u ulur së bashku e për të gjetur mënyrat se si mund të dilet nga kjo situatë", u shpreh ai. Henk Van den Dool u shpreh se Shqipëria ka arritur në një fazë ku mund ta zërë vetë vendin e shoferit në një makinë nëse do të shprehesha në mënyrë figurative.