Tiranë, tritol shtyllës së tensionit të lartë
Tritol shtyllës së tensionit të lartë në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës, ndërkohë që policia po punon për identifikimin e autorit. Aktualisht, nga grupi hetimor janë ngritur dy pista hetimore, ajo e hakmarrjes për ngritjen e energjisë elektrike, por edhe që ngjarja mund të jetë shkaktuar nga një person me probleme mendore. Burimet policore shpjeguan rreth orës 22:00 se janë njoftuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit se ishte hedhur në erë një shtyllë e tensionit të lartë në Fushë-Prezë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.6, por edhe ata të Antieksplozivit, të cilët kanë nisur hetimet e mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje. Fillimisht janë pyetur banorët e zonës në lidhje me dyshimet për eksplozivin dhe mendohet se ai mund të jetë kryer pikërisht nga ndonjë prej tyre në shenjë hakmarrjeje për mungesën e energjisë elektrike dhe rritjen e çmimit. Por, kjo nuk është e vetmja pistë hetimore e policisë. Sipas të dhënave, dyshohet se autor i ngjarjes mund të jetë një person me probleme mendore. Specialistët deklaruan se duke qenë që shpërthimi i eksplozivit nuk lë gjurmë, është shumë i vështirë identifikimi i autorit të ngjarjes, megjithëse janë shoqëruar disa persona. Policia tha se mendohet se është përdorur një sasi e konsiderueshme tritoli, që ishte vendosur në njërën prej këmbëve të shtyllës. Megjithatë, hapësira ka bërë që shpërthimi mos të sjellë shumë dëmtime. Ndërkaq, në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe OST-ja. Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi se ngjarja ndodhi afër fshatit Budëll të Rrethit të Krujës, ku nga persona të paidentifikuar, sasia e tritolit është vendosur në një nga shtyllat e linjave 220 kv Koman-Elbasan. "Sasia e tritolit ka dëmtuar disa elementë të rëndësishëm të shtyllës", tha OST-ja, duke shtuar se dëmtimi i shtyllës nuk do të ndikojë në furnizimin me energji elektrike të zonave që furnizohen nga linja Koman-Elbasan.
Ble. Gi.