Basha betohet kryebashkiak i Tiranës

Betohet kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili e fitoi mandatin pas shumë peripecish, me hapjen e kutive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Tekstin e betimit, sipas procedurave e lexoi kryetari i ri i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, ndërsa në fund Basha tha: "Betohem, Zoti ju ndihmoftë!"
Duke folur si kryetar bashkie, Basha u shpreh se sot nis një rrugëtim i ri për ndërtimin e Tiranes, për përmbushjen me sukses te misionit te premtuar.
"Gjërat nuk do të ndryshojnë brenda ditës, ndryshimi nuk është i lehtë, por nëse bashkëpunojmë do të jemi më efikase", tha Basha.
Këshilli dhe kryetari i ri
Mblidhet Këshilli i ri Bashkiak i Tiranës, ku anëtarët e mazhorancës dhe të opozitës kanë kryer betimin në detyrën e tyre të re.
Emri i propozuar nga mazhoranca, Njazi Kosovrasti u zgjodh si kryetar i këshillit Bashkiak me 28 vota, kundrejt 27 votave që mori kandidatja tjetër e propozuar nga opozita, Mimoza Hafizi.Ndërkohë pas një votimi të dytë u zgjodh edhe nënkryetari i Këshillit Zamir Ndroqi, me 29 vota, duke marrë kështu edhe votën e një këshilltari të majtë.
Mbledhja e Këshillit nisi me verifikimin e mandateve te Këshilltareve Bashkiake por edhe me debate ne lidhje me një udhëzim te paraqitur nga ana e Ministrisë së Brendshme, udhëzim qe u kundërshtua nga ana e opozitës. (tch)