E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratimi i ligjit për regjistrimin, debat mes Aleancës Kuq e Zi dhe PDIU-së

Aleanca Kuq e Zi: ”Aleanca Kuq e Zi denoncon faktin se asnjë deputet i majtë dhe i djathtë nëpërmjet votës, abstenimit apo bojkotit, nuk patën kurajo të dalin kundër këtij projekti”. PDIU: “Hapi i parë i rëndësishëm u hodh. Kushdo që ka ndonjë propozim më të realizueshëm, le të flasë dhe dy deputetët e PDIU-së do ta realizojnë brenda mundësive, që dy kartonë në Kuvend kanë”

TIRANË Për herë të parë dje, pas aksionit të përbashkët ndaj nismës së qeverisë lidhur me regjistrimin e popullsisë, Aleanca Kuq e Zi dhe PDIU janë pozicionuar në kahe të kundërta. Debati në distancë lidhet me procedurën e votimit për projektligjin e regjistrimit të popullsisë dy ditë më parë në Kuvend, ku Aleanca Kuq e Zi pretendon se është votuar me 69 vota ndërsa PDIU, e cila loboi fort për të futur në këtë draft edhe dy amendamente të saj, pretendon se për këtë projektligj kanë votuar 71 deputetë. “Aleanca Kuq e Zi i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë sot publike list/prezencën e deputetëve në Kuvend, si dhe listën e votuesve pro të projektligjit. Miratimi i ligjit të censusit me 69 vota pro dhe 2 vota abstenim të PDIU-së dhe me një prezencë të paprovuar të 71 deputeteve në sallë e bën procedurën dhe procesin e votimit anti-kushtetues, nëse nuk është respektuar parimi një deputet një votë. Aleanca Kuq e Zi shpreh keqardhje që mazhoranca dhe satelitët e saj nuk i rezistuan dje presionit grek dhe projektit për një Shqipëri multietnike, si dhe e konsideron të papranueshëm edhe bojkotin e opozitës në Kuvend për një vendim jetik për fatet e vendit”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Aleancës Kuq e Zi. Në deklaratën për shtyp është thumbuar edhe PDIU-ja e më konkretisht dy deputetët e saj, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, të cilët abstenuan për miratimin e draftit dy ditë më parë. “Aleanca Kuq e Zi denoncon faktin se asnjë deputet i majtë dhe i djathtë nëpërmjet votës, abstenimit apo bojkotit nuk patën kurajo të dalin kundër këtij projekti ogur zi dhe anti- kushtetues për Shqipërinë”, - thuhet në njoftimin për shtyp.

PDIU

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PDIU-së. “Në emër të PDIU-së dua të sqaroj se ne kemi gjetur mundësinë e vetme institucionale: Në çastin që sekretaria e Kuvendit elektronikisht raportoi se në sallë ishin 73 deputetë, nuk janë deputetët e PDIU-së ata që kanë përgjegjësi për të verifikuar këtë fakt zyrtar. Deputetët e PDIU-së që kishin përpara tyre 17 faqe, me argumentime mbi amendamentet e tyre dhe po aq mbi një fjalim tërësisht kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare nuk mund të shërbejnë si numërues të deputetëve të tjerë në sallë. Por edhe në rastin hipotetik, që deputetët e PDIU-së do të luanin rolin e mësuesit që bën apelin, që përbën absurditet, dhe do të vendosnin të largoheshin nga salla e Kuvendit, pasojat do të ishin negative. Kjo, sepse në letër mbeteshin në sallë 71 deputetë, sipas sekretarisë së Kuvendit, që do të ishte një fakt i mjaftueshëm për të kaluar ligjin, madje pa amendamentet e PDIU-së. Largimi në këtë situatë do të sillte që jo vetëm ligji do kalonte, por ky ligj do të lejonte regjistrimin me vetëdeklarim”, - sqaroi dje deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri. Ai sqaron përmes një deklarate, se PDIU-ja ka vetëm dy deputetë dhe çdo amendament që kalon prej saj është produkt negociatash të vështira dhe të forta. Tahiri sqaron gjithashtu se më këmbënguljen e PDIU-së në ligjin e miratuar u futën dy amendime të rëndësishme. Duke shigjetuar Aleancën Kuq e Zi, deputeti i PDIU-së theksoi se kjo parti është e hapur për çdo propozim, që mund të jetë i realizueshëm. “... Hapi i parë i rëndësishëm u hodh. Kushdo që ka ndonjë propozim më të realizueshëm, le të flasë, dhe dy deputetët e PDIU-së do ta realizojnë brenda mundësive që dy kartonë në Kuvend kanë...”,- tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›