Kolegji rrëzoi me 5 vota padinë e PS
Unanimitet mes 5 anëtarëve të Kolegjit për rrëzimin e kërkesë-padisë së PS për pavlefshmëri
Ndryshe nga sa priste Partia Socialiste, vendimi i djeshëm për rrëzimin e kërkesës së saj u mor në unanimitet të plotë nga ana e Kolegjit Zgjedhor. Burime të sigurta pranë Kolegjit bëjnë të ditur se pesë gjyqtarët: Sashenka Jonuzi, Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Meriban Mullaj dhe Marie Qiriazi, kanë votuar pro argumentit me të cilin u rrëzua padia, pra djegia e afateve kohore ligjore, ndaj kanë votuar të gjithë pro rrëzimit të tij, apo kundra objektit të vjetër dhe atij të shtuar të kërkesës së socialistëve. Në këtë mënyrë kanë rënë poshtë të gjitha dyshimet, për një ndarje politike të trupës së gjyqtarëve, të cilët jo për të parën herë kanë qenë në unison në qëndrimin e tyre. Vetëm pak orë pas shpalljes së vendimit nga ana e gjyqtares Sashenka Jonuzi, Kolegji Zgjedhor ka nxjerrë dje dhe vendimin e shkurtuar. Në të, pasi jepet përbërja e trupës gjykuese, pasqyrohen palët në proces, paditësit, të paditurit dhe pala e interesuar. Më poshtë pasqyrohet objekti i padisë, i cili i përmbahet kërkesës së shkuar të socialistëve, pra “Anullimi i vendimit Nr.1160 të KQZ, për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr.164 të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, detyrimin e KQZ-së që të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të marrë vendim”. Më tej, në vendimin e shkurtuar, Kolegji Zgjedhor shprehet se për “Rrëzimin e kërkesë-padisë së paditësit Partia Socialiste së Shqipërisë, si të pambështetur në Ligj”. Pra siç shihet, vendimi i shkurtuar i Kolegjit është edhe më i shkurtër sesa vendimi i shpallur nga Sashenka Jonuzi, dje në orën 10. Kjo, pasi në të pasqyrohet vetëm një pjesë e vendimit, ku përcaktohet pabazueshmëria në ligj, por nuk jepet arsyeja e të qenurit jashtë afatit.