Mediu: Fitorja e Bashës, historike
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, konsideron fitoren e Lulzim Bashës si historike. Në analizën postzgjedhore të forcës politike që drejton, Mediu theksoi se fitorja e Bashës u bazua në një fushatë pozitive dhe të një modeli demokratik. “Pas këtyre zgjedhjeve del akoma me imediat, organizimi i një tryeze të forcave politike për një kod elektoral zgjedhor, të drejtë që i jep çdo partie peshën elektorale bazuar mbi votën e shqiptarëve dhe jo formulave që kanë denigruar dhe vazhdojnë denigrojnë procesin elektoral”, u shpreh Mediu. Duke vijuar më tej analizimin e rezultatit elektoral të votimeve administrative të 8 Majit, kreu republikan konstatoi se mënyra e funksionimit të koalicionit ka padyshim shumë elementë për t'u parë. “Sa realisht është ai i shtrirë përveç faktit të qenit në qeverisje. Sa real është ai në vendimmarrjen e nevojshme politike. Sa i përgjegjshëm është përballë trupës parlamentare dhe mbi të gjitha sa është shtrirë dhe funksional në të gjitha nivelet, qendror dhe atë lokal”, tha Mediu. Ai gjeti rastin që në mbledhjen e forumit të lartë drejtues të partisë të paraqiste edhe njëherë propozimet e republikanëve, në lidhje me ndryshimet e nevojshme në kod.