Basha dhe ambasadori Arvizu, 60 minuta takim për shtimin e investimeve amerikane

Kryebashkiaku Lulzim Basha dhe ambasadori i SHBA, Aleksander Arvizu janë takuar sërish, në përfundim të vizitës së Bashës në Uashington e Nju-Jork. Shtrirja e investimeve amerikane në Tiranë raportohet se ishte në epiqendër të takimit
Projektet strategjike të zhvillimit të Tiranës dhe gatishmëria e shprehur nga institucionet amerikanë për të mbështetur edhe financiarisht këto projekte, kanë qenë në qendër të bisedës që Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu gjatë, një takim miqësor në një lokal të Tiranës, pas kthimit të kryebashkiakut të Tiranës nga vizita në SHBA.
Kryabashkiaku Basha dhe ambasadori Arvizu kanë biseduar edhe për mundësitë e tërheqjes së investitorëve amerikanë për të shtrirë aktivitetin në Tiranë por edhe për t’u bërë pjesë e realizimit të projekteve të zhvillimit të Tiranës.
Ky takim që zgjati rreth 60 minuta vjen pak ditë pas vizitës zyrtare të kryebashkiakut Basha në SHBA me personalitete të njohura ku bëri të ditur strategjitë për Tiranën si dhe ftoi biznesin amerikan të investojë në kryeqytetin shqiptar.
Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, përmirësimi i cilësisë së jetës në kryeqytet dhe qeverisja lokale transparente dhe me gjithëpërfshirjen e qytetarëve kanë qenë temat kryesore të takimeve që Lulzim Basha zhvilloi në Washington dhe New York.