E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat e armatosura grabisin pikën e Uestern Union

Sipas dëshmisë së punonjëses së pikës, mësohet se ata i kanë grabitur një shumë prej 5 mijë eurosh

ELBASAN Dy persona të veshur me rroba ushtarake e të pajisur me pistoletë e me maska kanë grabitur dje pikën e Uestern Union në lagjen “Kongresi i Elbasanit” në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.45 minuta në pikën që ndodhet diku përballë ish-degës ushtarake në rrugën që të çon nga Pedagogjikja. Pasi kanë hyrë brenda, maskat kanë kërcënuar me armë punonjësen dhe kanë grabitur 5000 Euro që ndodheshin gjendje në atë moment. Pastaj kanë dalë e janë larguar me shpejtësi në këmbë, duke u futur në rrugicat e lagjes aty pranë. Sipas punonjëses dhe dëshmitarëve okularë, grabitësit ishin të veshur me rroba ushtarake dhe janë larguar në këmbë pasi kanë dalë nga pika e Uestern Union. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë policia, ekspertët dhe grupi hetimor. Policia është duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë këtij viti ka patur disa vjedhje të kësaj natyre në Elbasan dhe në Gramsh, ku objekt i hajdutëve kanë qenë dyqanet e bizhuterive dhe floririt.

Kërkimi

Pas grabitjes së zyrës së Uestern Union policia e Elbasanit ka hartuar një plan operativ për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në hyrje dhe daljet e qytetit janë ngritur disa postblloqe dhe policia ka kontrolluar automjete dhe persona të dyshimtë. Ndërkohë janë shoqëruar për në polici disa persona të dyshimtë të implikuar më parë në vepra të ngjashme penale. Janë ngritur disa pista hetimi për këtë ngjarje, si ajo e dijenisë së një klienti për shumat që kishte në atë moment pika, e konflikteve të mundshme dhe hetimet për një grup të mirëorganizuar, i cili ka kryer edhe vjedhje të tjera të ngjashme.

Grabitja e dyqaneve të bizhuterive dhe floririt ka qenë në qendër të vëmendjes së grabitësve të specializuar në këtë drejtim për këtë vit në Elbasan. Dy vjedhje të ngjashme janë realizuar në Elbasan, një në Gramsh dhe një në Librazhd. Policia ka sekuestruar kamerat e vëzhgimit dhe ka arrestuar disa të dyshuar, megjithatë deri më tani nuk ka arritur të zbulojë autorët e vërtetë të këtyre ngjarjeve. Duket se një grup hajdutësh profesionistë gjuajnë pikërisht dyqanet e floririt dhe bizhuterive të shtrenjta për t’u pasuruar në mënyrë të menjëhershme, duke mos marrë parasysh rrezikun. Një burim hetimor u shpreh se nuk përjashtohet mundësia që ky grup hajdutësh të veprojë edhe në vjedhje të ngjashme në qytete të tjera të vendit dhe autorët mund të mos jenë nga Elbasani. Megjithatë çështja është nën hetim dhe ekspertët po mundohen të fiksojnë gjurmët daktiloskopike të dorës dhe gishtërinjve. Fatos Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›