Basha, diskutohet me Suedinë për çështjen e aplikimit
Ministri i punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim Sekretarin e Shtetit të Bashkëpunimit për Zhvillim të Mbretërisë së Suedisë, Joakim Stymne. Gjatë takimit, ministri Basha informoi bashkëbiseduesit për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi se procesi i nisur për këtë qëllim, gjatë presidencës çeke të BE-së do të avancohet më tej gjatë periudhës së presidencës suedeze, me përkrahjen dhe mbështetjen e kësaj të fundit. Zoti Stymne nga ana e tij, shprehu vlerësimet e qeverisë suedeze për reformat e qeverisë shqiptare, si dhe për hapat e ndërmarrë nga ana e saj për fillimin e procesit të aplikimit si vend kandidat në BE. Njëkohësisht, ai siguroi mbështetjen e përkrahjen e Suedisë ndaj vendit tonë, gjatë gjithë këtij procesi. Njëkohësisht, dje Basha është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, Mark Mikielsen. Të dy bashkëbiseduesit konstatuan me kënaqësi se niveli i bashkëpunimit politik mes dy vendeve ka njohur zhvillime të reja intensive gjatë dy viteve të fundit. Ministri Basha dhe ambasadori Mikielsen ndanë të njëjtin mendim lidhur me mundësitë që ekzistojnë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Po dje, Basha pati një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Sekretariatit Ekzekutiv të Nismës së Evropës Qendrore, ambasadorin Pietro Erkole Ago.