Xhaferri, sekretari i ri i Marrëdhënieve me Publikun në PD
Tre vjet pas largimit të Spartak Ngjelës nga posti i sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, duket se në vendin e tij do të vijë deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferri. Burime zyrtare nga PD bënë të ditur se tashmë është vendosur që këtë detyrë pak muaj para zgjedhjeve ta marrë Xhaferri, i cili do të jetë sekretari i ri për Marrëdhëniet me Publikun deri në një vendim zyrtar të Këshillit Kombëtar. Siç sqarojnë burimet nga partia në pushtet, Xhaferri do të mbajë këtë post deri në zhvillimin e Kuvendit të ardhshëm të demokratëve, i cili zgjedh kryetarin dhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Ndërkohë Xhaferri është dhe kandidat për të marrë kreun e PD-së në qytetin e Durrësit. Shkak për të bërë lëvizjet në drejtimin e partisë është afrimi i fushatës zgjedhore, e cila e bën të nevojshëm sekretarin e Marrëdhënieve me Publikun. Burimet sqarojnë se deputeti i Durrësit ka marrë caktimin e kryesisë për këtë post, duke marrë parasysh angazhimet e tij në debatet publike. Tashmë partia në pushtet po organizon strukturat për të intensifikuar veprimtarinë e demokratëve në prag të fushatës elektorale. Aktualisht PD ndodhet në një fushatë zgjedhore brenda vetvetes, ku po zhvillohen zgjedhjet në degët lokale. Pritet,ë sipas të gjitha gjasave, se pas pak ditësh do të mbyllen të gjitha konferencat për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të degëve të partisë dhe nga mesi i muajit prill të zhvillohet edhe Konferenca e Tiranës.