Basha drejt Torinos

Eksperienca e Migjen Bashës në Atalanta mund të marrë fund vetëm pas gjashtë muajsh. Mesfushori kosovar ka marrë një ofertë serioze nga Torino, e cila e do atë qysh në janar.
23-vjeçari ndihet i lumtur në skuadrën nga Bergamo dhe udhëheqësit e këtij klubi e konsiderojnë lojtar të rëndësishëm. Mirëpo, fjalën e fundit do të thotë trajneri Stefano Colantuono, me të cilin mesfushori kosovar do të takohet në ditët në vazhdim.
Basha ka zhvilluar 17 ndeshje gjatë pjesës së parë të sezonit në Serie B. Por nuk ankohet për minutazhin që iu ofrua në vjeshtë, pasi që Atalantan e konsideron klub të madh. Vetëm në rast se trajneri i ekipit nuk llogarit në ish-futbollistin e Frosinones, ai mund të lëvizë në janar. Ekziston mundësia që ai të huazohet, me mundësi shitjeje definitive në qershor.
“Unë ndihem mirë në Atalanta dhe nuk do të kërkoj të largohem. Nëse trajneri konsideron se duhet të largohem, atëherë, nuk është problem. Kam oferta nga ekipe të Serie B, por ajo më interesante dhe më serioze është nga Torino. Atalantën do ta ndërroja vetëm për ekipin Granata”, u shpreh të martën Basha për Express.
Afati kalimtar i janarit ka rëndësi të veçantë për Torinon. Klubi italian insiston të rikthehet në Serie A italiane, pasi ra në Serie B, dy sezone më parë. E për ta arritur këtë, klubit ‘Granata’ i nevojiten përforcime. Presidenti i klubit, Urbano Cairo ka paralajmëruar se këtë muaj do t’i sjellë së paku katër përforcime, për ta arritur objektivin që ka.
Me këtë rast, uebfaqja italiane, Tuttosport.com bën të ditur se njëri prej objektivave të Torinos është pikërisht mesfushori kosovar, Migjen Basha. Presidenti Cairo e pëlqen mjaft lojtarin e Atalantës dhe planifikon që ta transferojë në Torino gjatë janarit.
Mirëpo, klubet nga Serie B nuk janë të vetmet që e kërkojnë Bashën, i cili iu bashkua Atalantës gjatë verës së vitit që shkoi, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare. Basha zbulon se interesim për të ka shfaqur edhe një skuadër nga elita e futbollit italian.
“Mua po më kërkon edhe Lecce, por ky klub vështirë se do të qëndrojë në Serie A”, vazhdoi ai.
Aktualisht, Lecce gjendet në pozitën e parafundit të Serie A dhe është njëra prej skuadrave më të rrezikuara që në fund të sezonit të bjerë në një kategori më të ulët garash.