Zhdrella beson se është më i miri
Mentor Zhdrella pritet që të enjten të zgjidhet futbollisti më i mirë kosovar për vitin 2010 nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit.
Gazeta Express ka mësuar se shumica e trajnerëve të Superligës kanë votuar për mesfushorin e Hysit, i cili thotë se e meriton ta fitojë epitetin e më të mirit në futbollin kosovar për të dytën herë radhazi.
“Vërtet mendoj se e meritoj të zgjidhem futbollisti më i mirë i vitit. Në këto dy vitet e fundit kam kaluar nëpër një formë jashtëzakonisht të mirë, falë përkushtimit tim”, ka deklaruar Zhdrella për Express.
“Këtë e vërteton edhe fakti se ia kam dalë t’i shënoj 25 gola brenda një viti. Andaj, mendoj se e meritoj këtë epitet dhe është kënaqësi e madhe për mua që të zgjidhem futbollisti më i mirë për të dytin vit rresht”, shtoi Zhdrella, i cili, pos tjerash, njihet edhe si specialist i gjuajtjeve të lira.
Përpos futbollistit më të mirë, Expressi ka mësuar se cili do të jetë edhe trajneri, gjyqtari dhe klubi më i mirë i vitit që e lamë pas.
Epitetin e trajnerit më të suksesshëm kosovar do ta fitojë Gani Sejdiu, i cili pas 17 vitesh e ka stolisur Trepçën me titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës.
Falë këtyre dy trofeve që fitoi gjatë vitit 2010, Trepça do të shpallet klubi më i suksesshëm kosovar.
Ndërsa, gjyqtari më i mirë i vitit që lamë pas pritet të zgjidhet njëri prej referëve më autoritativë në vend, Përparim Hasani.