Rikthimi i Kakas

Mesfushori brazilian Leite Kaka, iu kthye fushës së blertë pas më shumë se 200 ditësh, në fitoren e Realit të Madridit (3:2), në kuadër të xhiros së 17-të të La Ligës spanjolle.
Braziliani, njëri prej lojtarëve më të kushtueshëm në histori të futbollit (klubi madrilen e ka blerë nga Milani verën e vitit 2009 për rreth 65 milionë euro) hyri në lojë në minutën e 31-të të pjesës së dytë ne vend të francezit Karim Benzema.
Përfaqësuesi brazilian ndihet i gëzuar si një fëmijë. Ai thotë se ende nuk e ka dhënë maksimumin e tij në kampionatin spanjoll. “Jam mjaft i lumtur që më në fund u ktheva në fushë me shokët e mi të skuadrës”, tha në fillim Kaka, i cili ishte operuar në gjurin e majtë.
Braziliani dukej në formë dhe ka shfaqur përputhje të lojës me Ozil e Cristiano Ronaldo, ndërsa pati edhe një goditje në portë. “Kam kaluar momente mjaft të vështira në këtë periudhë, por më në fund mendoj se kjo ka kaluar. Nuk e dija se kur do të kthehesha. Tash jam mjaft i kënaqur, ndihem me të vërtetë mirë”, ka shtuar Kaka për mediat spanjolle pas lojës.
Ish-futbollisti i Milanit, rikthimin ia ka dedikuar familjes së tij. “Mbi të gjitha gruas sime, sepse vetëm ajo e di se në çfarë periudhe kam kaluar”, shpjegoi ish-futbollisti më i mirë në botë.
I lumtur për yllin brazilian është dukur edhe trajneri Jose Mourinho. “Është e qartë se Kaka nuk është ende në maksimumin e formës së tij, por është një lajm fantastik për Real Madridin dhe mendoj edhe për ligën spanjolle dhe për botën e futbollit”, theksoi trajneri portugez.
“Është një super lojtar, por ende nuk ka arritur ta demonstrojë këtë në Spanjë. Sot luajti 15 minuta, do të jetë në gjendje të luajë 15 të tjera me Levanten të enjten (në Coppa del Re) dhe pak nga pak do të fitojë minutazh”, vazhdoi Mourinho.
I operuar në fillim të muajit gusht, Kaka kishte filluar stërvitjet me grupin e futbollistëve më 18 dhjetor.