E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha e Mediu u tërbuan kur ambasadori përmendi heqjen e imunitetit

Ditën e djeshme kryeministri Sali Berisha e përmendi fort heqjen e imunitetit, duke drejtuar gishtin nga opozita si pengesë në këtë rrugë. Ai foli për këtë çështje në mbledhjen e grupit, por edhe më pas në seancën plenare.

Por në një kabllogram të publikuar në nëntor të vitit 2009, ambasadori Uidhers thotë se është pikërisht mazhoranca ajo që dridhet kur i përmendet çështja e imunitetit.

Duke folur në një konferencë më 23 tetor me subjekt qendror integrimin e vendit, ambasadori preku një çështje të nxehtë, atë të imunitetit. Duke cituar një deklaratë të kryeministrit në parlament, ambasadori tha se duartrokasim qëndrimin e tij se duhen bërë përpjekje të mëdha për të shembur murin e imunitetit. Ambasadori deklaroi se imuniteti nuk duhet të jetë një strehë për ata që përballen me akuza kriminale në gjykata. Ambasadori citoi gjithashtu edhe Stjuart Xhons të Departamentit të Shtetit, i cili mbështeti heqjen e imunitetit përpara Komitetit të Helsinkit në Uashington, thuhet në kabllogram.

Më pas në kabllogram thuhet se Berisha dhe Meta e mbështetën këtë deklaratë. Por dy persona u tërbuan nga ky qëndrim. Ata ishin Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu.

Komentet e ambasadorit u pritën më pak ngrohtë nga të tjerët, veçanërisht nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Të dyve iu është hequr imuniteti në lidhje me abuzimet në detyrë, Bashës në lidhje me tenderin për rrugën Durrës- Kukës dhe Mediut për shpërthimin në Gërdec, por e kanë rimarrë sërish atë. Menjëherë pas fjalimit të ambasadorit, Mediu dërgoi avokatët e tij për të protestuar për pafajësinë e tij me një avokat amerikan që ka asistuar sektorin e drejtësisë në Shqipëri për vite më radhë dhe që praktikisht është i mirënjohur për çdo gjykatës e prokuror në Shqipëri. Avokati amerikan ndodhej për vizitë të shkurtër në Shqipëri. Duke u shfaqur në një aktivitet për nder të policisë më 26 tetor, Basha ishte dukshëm i tensionuar dhe nuk ndjehej rehat pranë ambasadorit- kjo mosrehati e tij nuk ndihmohej aspak nga prania edhe e ambasadorit britanik, që ka bërë gjithashtu deklarata të forta në lidhje me çështjen e imunitetit. Pa dyshim që kjo mosrehati e tyre është fryrë edhe nga fakti se shumë komentatorë në media kanë spekuluar se deklaratat e ambasadorit nuk lidheshin shumë me çështjen e imunitetit sesa me ata të dy direkt, thekson ambasadori në kabllogram.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›