E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ky njeri që nuk mendon dot për gjëra të vogla

Meqë së fundmi po dëgjojmë kaq shumë përralla nga kryeministri ynë për projektet madhore, më poshtë është një kabllogram i ish- ambasadorit amerikan, Uidhers, për Berishën dhe mënyrën se si mendon ai. Ai është shkruar në nëntor të vitit 2008.

Berisha së fundmi i habiti të gjithë, FMN-në dhe këshilltarët e tij ekonomikë kur shpalli se Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike me dy shifra, një përllogaritje sa dyfishi i shifrës konsensuale të këshilltarëve të tij dhe FMN-së (që shkon respektivisht nga 4-5 përqind). Në një tjetër aktivitet, Berisha detajoi një plan të tij për ta bërë Shqipërinë një superfuqi energjetike rajonale, një deklaratë që për shumë shqiptarë është gallatë nisur nga ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë. Kryeministri tha gjithashtu se ka ndërmend ta sjellë Shqipërinë në erën dixhitale duke futur kompjuterin në çdo shkollë dhe në çdo shtëpi, pavarësisht faktit se shumë shtëpi e shkolla nuk kanë ujë e energji. Më së fundmi, më gallata e të gjithave ishte premtimi i tij në parlament javën e shkuar se do e bëjë Shqipërinë kopshtin më të bukur të ullinjve në Mesdhe, duke planifikuar mbjelljen e 20 milion rrënjëve ullinj në vitet që do vijnë. Berisha madje shtoi menjëherë se 20 milion rrënjë javë vetëm një paradhënie e kultivimit të më shumë se 100 milion rrënjëve.

Që kur u rikthye në pushtet në vitin 2005, shqiptarët janë mësuar me fjalimet madhështore të Berishës për megaprojektet. Kryeministri duket se nuk është në gjendje që të mendojë për gjëra të vogla. Problemi vjen kur fjalimet e kryeministrit për Shqipërinë që lulëzon përplasen ashpër me realitetin e jetëve të përditshme. Pasioni i kryeministrit për ide të mëdha e vizione madhështore të kujton një barsoletë të komunizmit në lidhje me një kopsht fëmijësh në Shqipëri. Edukatorja po u fliste fëmijëve për një Shqipëri të mrekullueshme. Kur mbaroi së foluri për vendin, duke e përshkruar atë me lule e me trëndafila, një vend i zhvilluar me njerëzit më të lumtur në botë, një vend ku fëmijët kanë gjithçka, një djalë nisi të qante. Kur mësuesja e pyeti se përse po qante, ai bërtiti: Dua të shkoj të jetoj në Shqipëri, të lutem më ço atje!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›