E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha e Miliband diskutojnë për sfidat që e presin Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje në Londër një takim me ministrin e Jashtëm britanik, Dejvid Miliband. Sfidat dhe zhvillimet në Kosovë dhe rajon, pas finalizimit të pritshëm të statusit përfundimtar të Kosovës, integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, kanë qenë temat kryesore të takimit midis dy homologëve. Ministri Basha e njohu homologun e tij britanik, Miliband, me arritjet dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri në kuadër të reformave të ndërmarra me theks të veçantë në fushat politike, ekonomike dhe të sigurisë. Duke vlerësuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për aspiratat e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, ministri Basha u ndal në zhvillimet e fundit në lidhje me reformat në fushën e Drejtësisë dhe elektorale. Duke theksuar vizionin euroatlantik dhe Europian të Shqipërisë për të ardhmen e rajonit, ministri Basha shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar rolin e saj si një faktor stabiliteti në Europën Juglindore. Nga ana e tij, ministri Miliband vlerësoi kontributin e Shqipërisë për paqe dhe stabilitet në rajon. Në përfundim të këtij takimi, ministri Basha e ftoi ministrin Miliband për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi. Takime të veçanta ministri Basha zhvilloi edhe me kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Britanik, Majk Gejps, si dhe me zëvendëskryetarin e Grupit Gjithëparlamentar për Shqipërinë, Xhon Grogan.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›