Koshtunica: “Do ta anulojmë pavarësinë e Kosovës në momentin e shpalljes”
Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka bërë të ditur se Serbia po përgatitet juridikisht që të mos njohë shtetin e ri të Kosovës asnjë orë. Ai ka shprehur unitetin e qeverisë së tij dhe të të gjitha institucioneve, të cilat kanë një qëllim shumë të rëndësishëm, që është mbrojtja e provincës deri në fund. Edhe pse me një gjuhë shumë të ashpër, Koshtinica nuk ka përmendur luftën. “Kemi marrë vendimin që qeveria e Serbisë të enjten të anulojë të gjitha aktet antijuridike për shpalljen e njëanshme të këtij shteti të rremë në tokën e Serbisë”, - ka deklaruar Koshtunica për agjencitë e lajmeve serbe. Ai ka theksuar se, Beogradi nuk do të lejojë ”që për asnjë orë të ekzistojë një krijesë e tillë”. Ajo duhet të anulohet juridikisht në të njëjtin moment kur të shpallet në mënyrë të paligjshme nën udhëheqjen e terroristëve të dënuar“. Koshtunica është shprehur se “Serbia u ka bërë ballë me vendosmëri të gjitha presioneve të jashtme, shantazheve, lehtësirave dhe shpërblimeve të ofruara që në çfarëdo mënyre të justifikojë dhunën juridike dhe të bëhet bashkëpjesëmarrëse në shkeljen brutale të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244”. Në takimin e zhvilluar mes presidentit Boris Tadiç, kryeministrit Koshtunica dhe kryeparlamentarit Oliver Duliç, është konstatuar një kërcënim real, që është shpallja e kundërligjshme e pavarësisë së krahinës së Kosovës dhe Metohisë. Për këtë arsye, presidenti Tadiç ka thirrur dje mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ndërsa sot pritet të mblidhet kabineti i kryeministrit Koshtunica, për të miratuar vendimin mbi anulimin e pavarësisë së Kosovës, i cili më pas do t’i dërgohet për miratim Parlamentit të Serbisë, i cili do të mblidhet sapo autoritetet e Prishtinës të shpallin pavarësinë. Para këtij takimi nënkryetari i Partisë Radikale, Tomislav Nikoliç, ka shprehur angazhimin e tij për mbledhjen e Parlamentit, i cili do t’u jepte dritën jeshile masave të Serbisë. “Të obligohen me të vërtetë në atë mbledhje se me punë të përbashkët do të bëjnë gjithçka brenda mundësive të tyre, të paktën një ose dy muaj, përderisa Serbia të gjendet në situatë si të veprojë më tej në rastin e Kosovës e Metohisë”, - u shpreh para dy ditësh Nikoliç. Mosmarrëveshjet mes presidentit Tadiç dhe kryeministrit Koshtunica mund të çojnë në zgjedhje të reja. Analistët janë shprehur se edhe pse në Serbi fitoi presidenti pro-europian, ai nuk ka shumë pushtet në dorë, duke mos harruar se gjysma e popullsisë votoi për radikalët. Ehard Busek e ka konsideruar si të nxituar ofertën e BE-së ndaj Serbisë, duke i ofruar asaj nënshkrimin e marrëveshjes pa dorëzuar kriminelët e luftës.
13 Shkurt 2008