E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazeta gjermane: “Në Kosovë do të vijnë 2 misione”

Bashkimi Europian po përgatitet të dërgojë misionin e tij në Kosovë. Në të njëjtën kohë, gazeta gjermane “Frankfurter Algemajne Cajtung”, shkruan se aktualisht po përgatiten jo një, por dy misione për ardhjen në Kosovë. Misioni i parë është zyra civile ndërkombëtare, e cila do të ketë për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e planit të Ahtisarit. Ndonëse diplomatët Perëndimorë nuk i japin aq rëndësi këtij misioni, gazeta gjermane thekson se shefi i këtij misioni, holandezi Piter Fejt, do të ketë autorizime të mëdha. Se cilat janë këto autorizime, saktësisht janë përshkruar në propozimin e Ahtisarit, broshurën e të cilit për momentin po e lexojnë të gjithë diplomatët në Prishtinë. Misioni i dytë është ai i Bashkimit Europian, i cili do të përbëhet nga 1800 persona, kryesisht policë dhe gjyqtarë. Ky do të jetë një mision shumë i madh dhe i rëndësishëm dhe synimi i tij kryesor do të jetë forcimi i sundimit të së drejtës në Kosovë. “Frankfurter Algemajne Cajtung” shprehet se të dyja këto misione gjenden në rrugë të panjohur, sepse për prezencën e tyre ndërkombëtare nuk ekziston mandati i OKB-së. Ndërkohë, më 18 shkurt, ministrat e BE-së do të caktojnë datën e dërgimit të misionit në Kosovë si dhe do të miratojnë platformën e përbashkët për njohjen e pavarësisë.
Mendohet se shtetin e ri në Europë mund ta njohin njëzet ose më së shumti 22 anëtare të BE-së.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›